Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Të gjitha arsyet e sulmit të PD-së ndaj Fatmir Xhafajt

11 Maj 2018, 14:36| Përditesimi: 11 Maj 2018, 14:38

  • Share

Partia Demokratike ka risjellë para dy ditësh një histori të vjetër për të krijuar një kauzë të re politike tani që i ka rënë kauza “Tahiri” sëbashku me teoritë e tjera politike të ngritura prej saj. Sulmi i saj ndaj ministrit të Brendshëm vjen jo rastësisht në momentin kur Izet Haxhia ka mbërritur në Shqipëri e ku pritet (sipas tij) të japë fakte të reja kundër Sali Berishës mbi ngjarjet e 97-98-ës. Është gjithmonë mirë në politikë që kur pritet të të plasë një skandal, të prodhosh një pseudongjarje, qoftë edhe duke e rikthyer çështje të vjetra për të qenë në sulm e jo në mbrojtje.

Mirëpo, mesa duket PD-ja me këshilltarët e saj mizerabël (citoj Berishën që tha pas zgjedhjeve të 2017-ës se Basha ka këshilltarë mizerabël) ka zgjedhur sërish një kauzë të rënë që në nisje, e cila përpos kësaj, zhvillohet në momentin e gabuar dhe me mjetet e gabuara.

Pse është kauzë e rënë që në nisje?
Së pari, por të ishte çështja e Xhafajt ashtu siç e interpreton PD-ja, ambasadori i SHBA-ve nuk do e mbante gojën kyçur, por do fliste pa teklif siç jemi mësuar ta dëgjojmë prej së paku dy vitesh.

Do e thoshte troç ndoshta që para se Xhafaj të emërohej ministër. Do ja thoshte Ramës ndoshta edhe në mënyrë informale që t’i paraprinte një skenari ultimativ publik. Këtë Lu se ka bërë, përkundrazi, i ka dhënë një mbështetje të plotë Xhafajt. Këtë e kishte bërë edhe për reformën në drejtësi, ku Xhafaj kryesonte komisionin.

Së dyti nëse e vërteta të ishte siç e intepreton PD, as autoritetet italiane nuk do të rrinin duarkryq. Ato nuk do të zhvillonin takime intensive me Xhafajn ministër e as nuk do ta prisnin atë në Itali për të vazhduar e thelluar bashkëpunimin dypalësh. Po të ishte siç pretendon PD, italianët do i kërkonin më parë vëllain Xhafajt e më pas do besonin në integritetin e tij për të vazhduar bashkëpunimin.

Thënë këto arsyetime të thjeshta, kupton që ajo që PD-ja po bën sot është thjeshtë politikë dhe përsëritje e akuzave të vjetra politike pa asnjë gjë të re.

Kuptohet, sulmi ndaj Xhafajt është i përsëritur edhe prej faktit se ai është një ndër personat që ka mbështetjen e fortë amerikane pasi rezultoi i sukseshëm me reformën në drejtësi që udhëhoqi para se të emërohej ministër.

Por pse ky sulm zhvillohet në momentin e gabuar dhe me mjetet e gabuara?
Siç theksova më lart, jo rastësisht kjo stuhi në gotë u ngrit në momentin që Izet Haxhia u ekstradua në Shqipëri, por edhe në momentin që Shqipëria është më afër se kurrë çeljes së nëgociatave kryesisht falë një reforme të mirë në drejtësi. Ajo që mund të thotë Haxhia dhe ajo që mund të sjellë drejtësia e re mund të jenë një përmbytje në oborrin e SHQUP-it, ndaj edhe PD veproi shpejt me mjetin e parë që pa në letër duke tentuar balancimin. Mirëpo edhe pse përdorimi i këtij sulmi brenda për brenda Shqipërisë për kapital politik nuk përbën ndonjë problem të madh, kur kalon kufinjtë përbën një problem të madh për të ardhmen e vendit.

Kjo sepse të hedhësh një të tillë akuzë në të gjitha kancelaritë e Europës në momentin që duhet lobuar për çeljen e negociatave me BE-në është të duash t’i vësh flakën rrugës drejt saj. Dhe mesa duket PD-ja pasi humbi betejën në Parlamentin gjerman ku anti-shqiptari i Bashës, Krichbaun, nuk mundi të bindë Bundestagun të votojë kundër Shqipërisë, tani PD ka zgjedhur të çojë në kancelaritë e Europës një tjetër grusht balte të vjetër vetëm e vetëm që besimi ndaj nesh të ulet.

Edhe njëherë PD-ja ka ‘ngatërruar’ luftën politike ndaj Edi Ramës, duke e kthyer në një luftë kundër Shqipërisë. Pasioni me të cilin PD punon për të nxirë Shqipërinë do të kishte ndihmuar jo pak vendin në rrugën drejt BE-së, nesë do të ishte pasion pozitiv. Deri në fund të qershorit mesa duket PD do vazhdojë me të tilla histori që nuk do dëmtojnë Edi Ramën, sa do dëmtojnë Shqipërinë./Lexo.al

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?