Të gjitha mesazhet/Meta shantazh dhe kërcënime ndaj Lulzim Bashës, i kërkon të përbetohet që nuk do tradhtojë LSI-në (një histori dredhish e mosbesimi)

15 Mars 2021, 17:14| Përditesimi: 15 Mars 2021, 17:31

  • Share

Teksa dita e zgjedhjeve parlamentare po afrohet me shpejtësi, Presidenti Ilir Meta ka nisur një fushatë presioni deri në shantazh ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, fushatë e cila reflekton shqetësimin dhe dyshimet e forta të Metës, për një tjetër tradhti të mundshme të Bashës, nisur edhe nga precedenti i majit 2017, ku krerët e PD-PS arritën në një pakt, për të ‘çuar LSI-në për skrap’, siç edhe ka deklaruar publikisht Edi Rama, pretendim i cili nuk është mohuar kurrë nga kryedemokrati. Ditët e fundit, Ilir Meta ka rikthyer në vëmendje dredhitë politike në të kaluarën të Lulzim Bashës, duke i kërkuar këtij të fundit që të përbetohet hapur se nuk do të tradhtojë LSI-në pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, sido që të dalë rezultati.

Në 1 mars 2021, Meta i dha një mesazh të qartë Bashës nga një studio televizive, teksa tha se “Vetëm populli mund të garantojë sovranitetin, sepse...dikush tjetër kapet peng nga dikush dhe i shesin interesat kombëtare”. Ndërkohë që Sali Berisha ka deklaruar prerë se nuk do të ketë koalicion PD-PS, aleati i tij Ilir Meta nuk është i qetë, pasi këmbëngul që një deklaratë të tillë ta dëgjojë nga Lulzim Basha. Tre ditë më parë, në një emision televiziv, Ilir Meta i kërkoi Lulzim Bashës që të tregohet i qartë se nuk do të bashkëpunojë me Ramën.

“25 prilli është dita e provës së zjarrit për secilin politikan sepse ka shumë lojë. Deri tani kemi parë njerëz me dy fytyra dhe tre fytyra. Unë kam një fytyrë...  Dy gjëra për mua janë të përjashtuara përgjithmonë; që të ketë një koalicion LSI-ja me Edi Ramën dhe që LSI-ja të bëjë lojë të dyfishtë me atë që quhen oligarkë. Nëse e merr (Bashën) do të thotë se e ka pasur gjithmonë me vete. Nëse ky diversion funksionon, nuk funksion vetëm për meritë të Ramës, por edhe për paaftësi të opozitës, e cila duhet të jetë shumë e qartë për integritetin e saj, për të mos lënë hapësirë për spekulime. Nga ana ime e kam bërë të qartë: marrëveshje mes meje dhe Ramës nuk ka për të pasur asnjëherë”, tha Meta.

Krahas këtij qëndrimi Meta i ka dhënë një tjetër mesazh Bashës duket pohuar se “Nëse qeveria aktuale fiton zgjedhjeve, kjo do të thotë se në vend nuk ekziston një lidership opozitar”. Sipas Metës, nëse Rama fton zgjedhjet, Basha nuk mund të jetë më kryetar opozite.

Disa ditë para këtyre mesazheve të koduara, Meta kishte paralajmëruar se nëse PD-LSI nuk ftojnë zgjedhjet, ai do të japë dorëheqjen si President dhe se do të behet kryetar i opozitës. “Nëse Edi Rama merr 71 mandate, unë jap dorëheqjen me 26 prill dhe do të kaloj në opozitë. Dhe unë do të bëhem udhëheqës i opozitës. Kaq po ju them. Mbajeni shënim këtë gjë”.

Ndërkaq, në korrik të vitit 2019, i pyetur në lidhje me një porosi që Basha u kishte dhënë të vetëve që në asnjë rast të mos komentonin akuzat e Metës ndaj Soros, Meta i dha Bashës këtë mesazh të koduar: “Nuk kam përfituar asgjë, asnjë biletë avioni që të kem ndonjë brerje ndërgjegje. Do mbroj sovranitetin e vendit tim”.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, për të cilat Basha ishte përbetuar se do t’i bllokonte, por që u tërhoq pas presionit të SHBA-BE, një gazetë pranë Metës e krahasoi Bashën me Hamza Kastriotin, simbol i tradhtisë. Basha akuzohej se kishte dorëzuar pa kushte ‘kështjellën’ e pushtetit vendor në Shqipëri.

Në 16 gusht të 2019, Meta i kërkoi në mënyrë të tërthortë Lulzim Bashës që të shfrytëzonte dekretin e tij, i cili kishte anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, duke deklaruar 13 tetorin. Meta i dha Bashës edhe një paralajmërim: “Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse. Ende kemi mundësi t'i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019... Askush të mos lodhet të gjejë justifikime dhe alibi nëse nuk reflekton”.

Lulzim Basha nuk e njohu dekretin e Metës, dekret i cili u rrëzuar si i paligjshëm edhe nga Komisioni i Venecias. Në 13 tetor nuk pati zgjedhje. Në 26 maj të vitit 2020, Meta akuzoi hapur Bashën për tradhti. Meta tha se zgjedhjet lokale të 30 qershorit i kishte shtyrë në bashkëpunim me Bashë, por ky i fundit nuk e mbajti fjalën për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit 2019.

Meta u shpreh se “Këtu ka një mungesë korrektësie nga opozita, se unë kam marrë fjalën nga z. Basha se do të hynin në zgjedhje pastaj ata mbajtën atë qëndrimin edhe kështu edhe ashtu. Kjo është punë dhe përgjegjësia e tyre. Nuk kam asnjë problem”.

Në vitin 2017, Ilir Meta kishte kërkuar për muaj me radhë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike dhe për të nxjerrë PD-në nga çadra, por sapo u arrit marrëveshja në 17 maj 2017, e sulmoi atë. “..besoj se kanë bërë një marrëveshje për të zgjidhur hallet e tyre, por nuk besoj se kanë bërë një marrëveshje për të kontribuar për standardet më të larta dhe më të ndershme të zgjedhjeve për qytetarët shqiptarë. ..Patjetër, ne e kërkuam përfshirjen e opozitës, por duket qartë që kjo marrëveshje është bërë në një mungesë transparence...”, tha Meta.

Sipas Metës, halli i Ramës dhe Bashës ishte LSI-ja. “Mendoj se ata janë në një hall të madh. Halli i tyre mendoj se është rritja e madhe e LSI-së, këtë më duhet ta theksoj, e cila i shqetëson të dyja palët, për fatin e keq, të tyre më shumë, i ka bashkuar për ta cenuar këtë proces në mënyrën më abuzive dhe më absurde”, tha Meta pas paktit.

Meta deklaronte gjatë atyre ditëve, nga marrëveshja e 17 majit deri në 25 qershor 2017, se “përpjekjet për të bërë kurban LSI-në janë më të hershme, janë që në vitin 2008”. Më tej Meta thoshte se “A nuk e mbani mend ju? PD-ja, që mbështeti gjithë atë kauzë që Ilir Meta do të vriste këta dy deputetë...”, duke iu referuar përplasjeve në mars të vitit 2015.

Duke iu referuar Bashës, Meta deklaronte se “Herën e dytë ai u përdor për çështjen “CEZ-DIA” pas zgjedhjeve lokale në vitin 2015, ku Partia Demokratike... PD-ja jo vetëm nuk heshti, por ishte pjesë e kësaj gjëje edhe z. Basha”.

Pa para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, duke iu referuar Bashës, Meta shprehej se “Ai bën si i fortë, sepse ka ndenjur 3 orë vetëm për vetëm me Edin. Nuk e di që aty ai ka mbaruar politikisht edhe moralisht. Para demokratëve dhe para gjithë shqiptarëve. Natyrisht, se Edi ia hedh atij”.

Në qershor të 2017, gjatë fushatës elektorale, Meta deklaronte për Ramën se “pasi dështoi të bënte zgjedhje pa opozitën, duke u përpjekur të bënte një puç tjetër, na mori, na korruptoi dhe nga çnderoi Lulushin për ta përdorur atë jo për të garantuar zgjedhjet, por për ta përdorur kundër zgjedhjeve”. Pikërisht në këtë klimë mosbesimi, akuzash për tradhti, kurthe dhe lëvizje në prapaskenë, PD-LSI po shkojnë drejt zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Komento

Komente

  • dulja: 15/03/2021 18:11

    e shikoni ku fle lepuri dhe meraku i Likes ky eshte ai presidenti i pa varure

    Përgjigju
  • O tej: 15/03/2021 17:34

    PD dhe LSI ja bere me dhi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?