Gjelbrim Taipi është fantazisti i ri i Partizanit. 30-vjeçari nga Bujanovci ka firmosur kontratë një vjeçare me kampionët e Shqipërisë, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër sezon në rast se palët bien dakord. Ish-lojtari i Shqipërisë U-21 dhe Kosovës ishte pjesë e Kukësit për tre sezonet e fundit, duke merituar edhe shiritin e kapitenit, për t'i luajtur të gjitha ndeshjet titullar.
"Partizani zyrtarizon afrimin e Gjelbrim Taipit në skuadër. Mesfushori me tipare sulmuese është përforcimi më i fundit në këtë sesion të merkatos. Taipi pas 3 sezoneve pozitive te Kukësi, ka firmosur një kontratë 1 vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon me kampionët e Shqipërisë. Mesfushori menjëherë i është bashkuar ekipit në seancën e sotme stërvitore", njofton Partizani.
Ndërkohë mësohet se paga e 30-vjeçarit do jetë 4.500 euro në muaj, me rritje në formë bonusi në bazë të paraqitjeve dhe golave që Taipi do realizojë gjatë sezonit.
I dalë nga moshat e Tërnocit, Taipi ka luajtur edhe me Shkëndijën, Uill, Schaffhausen, St. Gallen, Grasshopers apo edhe Uinterthur në Zvicër. Goditje me peshë për Partizanin, në prag të ndeshjeve të Champions League kundër BATE Borisov.