Foto ilustruese

Politikë

Të GJITHA ndryshimet në Kod/ Diaspora 0 lekë për postën, vota do i numërohet nga komisionerë politikë! Rriten financimet e koha televizive në fushatë

17 Shkurt, 18:43| Përditesimi: 17 Shkurt, 18:57

  • Share

Kur na ndajnë vetëm 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan sërish votat në Kuvend dhe miratuan ndryshimet të reja në Kodin Zgjedhor me qëllim lehtësimin e votës së diasporës, por jo vetëm.

Por, çfarë parashikojnë këto ndryshime që morën 108 vota pro? Pika më e rëndësishme e këtyre ndryshimeve është që diaspora nuk do të paguajë asnjë lek për votën. Të paktën për këto zgjedhje, shteti do të paguajë edhe koston e kthimit të votës së diasporës në Shqipëri. Ndryshimet do futen menjëherë në fuqi dhe pritet të alokohet edhe fondi që do të mbulojë pagesën për kthimin e votës se diasporës.

“Fletët e votimit të plotësuara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor nëpërmjet shërbimit postar. Shpenzimet për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit dhe çdo materiali tjetër zgjedhor dhe informativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek votuesit nga jashtë, paguhet nga KQZ-ja”, thuhet në draftin e miratuar.

Propozimi i PD që të votojnë edhe ata emigrantë me dokumente të huaja nuk ishte pjesë e këtij drafti, por kërkesa do t’i kalojë Komision Rregullator të KQZ, nëse do mundet të gjejë zgjidhje.

Me ndryshimet e reja, afrohen afatet për regjistrimin e partive e kandidatëve më 12 mars nga 22 mars që ishte më parë, me qëllim që KQZ të prodhojë më shpejt fletën e votimit, për ta dërguar në kohë në diasporë.

PD ka arritur një prej kërkesave të saj, që vota e diasporës që do të mbërrijë në KQZ të mos votohet nga komisionerë, por nga anëtarë të zgjedhur nga vetë politika. Komisioni për numërimin e votës së diasporës do përbëhet nga 4 anëtarë dhe Sekretari që emërohen nga KQZ. Dy prej anëtarëve propozohen nga shumica parlamentare dhe dy nga pakica, ndërkohë që sekretari i komisionit do përzgjidhet në bazë të aplikimeve të lira në KQZ, por duhet me patjetër të jetë në profesion jurist.

“Numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të republikës së Shqipërisë administrohet nga një komision i përbërë prej 4 anëtarësh dhe sekretari, të emëruar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Propozimi për 2 anëtarë bëhet nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe për 2 anëtarët e tjerë propozimi bëhet nga partia më e madhe e pakicës parlamentare. Sekretari i komisionit emërohet mbi bazë të aplikimeve të lira dhe duhet të jetë me profesion jurist. Anëtarët dhe sekretari duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenet 30 dhe 31 të këtij Kodi. Nëse numri në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë është më i madh se 80 mijë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mund të ngrejë më shumë se një komision të numërimit dhe të vlerësimit të votave nga jashtë, me kushtin që vlerësimi i votave të një qarku të kryhet nga i njëjti komision”, thuhet në draftin e miratuar.

Kuvendi miratoi edhe një pikë të kërkuar nga KQZ, për të ndryshuar afatet e ankimimit në gjykatë për votuesit nga Diaspora që kërkojnë regjistrimin në listën zgjedhore. Ndryshimet e reja përcaktojnë një afat kohor “deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve” për ankimimin në gjykatë të votuesve nga jashtë, nga afati 7 ditor që ishte më parë.

“Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa mund të paraqitet edhe online, nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kërkesa sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksa gjyqësore. Gjykata shqyrton dhe vendos për kërkesën, sipas kësaj pike, nëpërmjet kësaj platforme, brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit që i shtrohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë i bashkëngjitet vendimi i Gjykatës.”

Po ashtu, iu hap rrugë edhe dy ndryshime të tjera, rritja e tavanit të financimeve dhe koha e reklamave televizive gjatë fushatës. PD propozoi në Komisionin e Ligjeve që të ketë më shumë hapësirë televizive për kandidatët në listë të hapur në mënyrë që të kenë më shumë mundësi për të bërë fushatë. Dhe me ndryshimet që u futën në fuqi menjëherë, koha për kandidatët që i nënshtrohen votimit të parapëlqyer për secilit subjekt zgjedhor nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta.

“Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike për kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit të parapëlqyer për të secilit subjekt zgjedhor nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta”, thuhet në draftin e miratuar.

Nga ana tjetër me propozim të PS, ndryshoi edhe financimi i partive politike.

“Shuma e shpenzimeve të bëra nga një subjekt zgjedhor, pa përfshirë kandidatët e tij, për fushatën zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 5 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 88 të këtij ligji”, thuhet në draftin e miratuar.

Ndërkohë, kandidatët e partive politike mund të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në 3 milionë lekë të rinj.

“Kandidatët e partisë politike ose koalicionit zgjedhor të regjistruar si subjekt zgjedhor kanë të drejtë të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në shumën 3 milion lekë. Deklarimi i këtij vetëfinancimi paraqitet nga kandidati së bashku me raportin financiar të dorëzuar nga subjekti zgjedhor që i përket, sipas nenit 92/3. Kandidati ben deklarimin sipas kësaj pike në përputhje me modelet e miratuara nga KQZ. KQZ miraton modelet e raportimit financiar të kandidatëve të subjekteve zgjedhore brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Shkelja e përcaktimeve të bëra në këtë pikë nga kandidati i subjektit zgjedhor i nënshtrohet sanksioneve të parashikuar në nenin 173 të këtij Kodi”, thuhet në draftin e miratuar.

Kjo është dakordësia e dytë që arrihet mes PS dhe PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pas atyre të korrikut 2024.  

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?