Politikë

Të gjitha shifrat e 11 majit/ 3.7 mln votues, 114 mijë për herë të parë! 11 subjekte me 2046 kandidatë për 140 ulëse në Kuvend

10 Maj, 16:35| Përditesimi: 10 Maj, 19:44

  • Share

Të drejtën e votës të dielën e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.

Diaspora që u regjistrua për të votuar përmes postës, u regjistrua në KQZ. Ndaj, 245 935 personat që u pranuan nga komisioni, nuk e kanë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri.

Por gjithë të tjerët, që u refuzuan nga KQZ, apo që nuk aplikuan fare, mund të kthehen në atdhe, dhe lirshëm mund të votojnë pranë qendrave të tyre. 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë.

Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda. Në fletën e votimit, shqiptarët do të gjejnë kësaj radhe 11 subjekte politike, ku 3 janë koalicione, dhe 9 janë parti që garojnë të vetme.

Secili subjekt zgjedhor ka në garë 186 emra të shpërndarë sipas qarqeve. 2046 persona janë kandidatë për parlamentin e ardhshëm, për të zënë 140 karrige Kuvendore. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.

Kandidatët janë në dy grupe: lista e mbyllur, të cilët janë të privilegjuar dhe do të fitojnë të parët mandat sipas radhës që ka përcaktuar partia, dhe lista e hapur, e cila do të dërgojë deputetë në Kuvend nëse partia fiton më shumë karrige se sa emrat që ka në listën e mbyllur. Renditjen e fituesve nga lista e hapur e përcakton vota personale që votuesit mund të japin.

Në mbarë vendin janë ngritur 5,225 qendra votimi. Procesi nis në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 19:00 në mbrëmje. Pas kësaj ore, do të mundet të votojnë vetëm ata që janë në radhë pranë qendrës së votimit.

Vetëm në njësinë 10 në Tiranë dhe në bashkinë Vorë, do të votohet dhe numërohet në formë elektronike. Të gjithë të tjerët do të votojnë tradicionalisht me fletë votimi. Numërimi i votave do të bëhet nëpër qendrat e qarqeve, pasi të jenë mbledhur të gjitha kutitë e zonës.

Votat e diasporës do të numërohen nga komisionerë të partive në Tiranë, paralele me numërimin e votave në mbarë Shqipërinë.

TË DHËNAT E VOTUESVE
3,713,761 votues në listat brenda vendit
245 935 votues nga diaspora
114,642 votues për herë të parë
1,081 zgjedhësve ju ndalohet të votojnë

 

TË DHËNAT MBI SUBJEKTET
11 parti dhe koalicione në fletë votimi
2046 kandidatë në garë për deputetë
186 kandidatë nga secili subjekt zgjedhor

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?