Evropa është duke parë sesi një brez i ri trajnerësh po del në pah duke arritur rezultate të mira me ekipet e tyre në futboll. Nëse Naglesmann ishte një përjashtim disa sezone më parë, tani De Zerbi dhe Xabi Alonso janë të shumëkërkuar nga top-klubet evropiane.
Alonso ia doli që këtë sezon të shpallte kampion Bayer Leverkusen në Bundesligë, për herë të parë në histori. Spanjolli u ul në stolin e "Aspirinave" tetorin e 2022 dhe një sezon më pas ia doli të dërgojë ekipin te titulli historik duke vendosur idetë e tij në lojë.
Veç tij, një emër i njohur në botën e futbollit, Cesk Fabregas po ndihmon Comon që pas 21 vitesh të ngjitet në Serie A. Spanjolli e mbylli te Como aventurën si futbollist dhe tanimë është ndihmës i trajnerit kujdestar Osian Roberts.
Në Itali thonë se Fabregas është fanatik i taktikës dhe vendos idetë e tij në stërvitje, teksa kjo ka bërë që Como të jetë në vendin e dytë të Serie B, katër pikë më shumë nga ndjekësit e Venezias dhe një ndeshje larg nga zyrtarizimi i ngjitjes në elitë.