Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni kaloi në SHBA për llogari të FC Austin. Klubi nga Teksasi pasoi 12 milionë euro në arkat e Granadas (Spanjë) dhe siguroi shërbimet e 29-vjeçarit. Tanimë Uzuni e ka gjetur veten në MLS, duke shënuar edhe golin e parë.
Për faqen zyrtare të kampionatit në SHBA, Myrto ka bërë një rrëfim të jetës, duke treguar se në Spanjë vendosi rekorde dhe në SHBA kaloi për emrin e tij, si edhe që Shqipëria të njihet për gjëra të mira.
“Te Granada unë fitova gjithçka. Lojtari më i mirë, numri 10, kapiten, golashënuesi më i mirë, unë fitova gjithçka. Emri im është aty. Unë theva rekorde me një klub 100-vjeçar, theva rekorde. Unë erdha këtu të vendos emrin tim në Austin, më kuptoni?
Vendimi? Fola me familjen time. Isha me familjen pasi po festonim Vitin e Ri. Babai më tha 'Shko, shko. Duhet të vendosësh emrin. Ti e ke vendosur emrin këtu, ke fituar gjithçka. Duhet të shkosh atje, të vendosësh emrin tënd. Gjëja më e rëndësishme është ajo çfarë do të lësh pas kur ta mbyllësh me futbollin'”, tregoi Uzuni.
Sulmuesi u ndal në rrugëtimin e tij të vështirë në jetë, me futbollin që ishte zgjidhja e vetme për të dhe familjen e tij.
“Unë nuk kam pasur kurrë një fëmijëri të mirë. Zgjidhja e vetme ishte futbolli. Historia ime nuk është aq e thjeshtë. Pasi ne nuk kishim asgjë. Ne ishim në zero. Dhe kur shkuam në Greqi ishim minus zero, pasi duhet të paguaje qiranë dhe kjo është e gjitha. Ndaj e vetmja zgjidhje në shtëpi isha unë.
Gjithçka për familjen? Padyshim, pasi familja ime ishte me mua kur nuk kisha asgjë. Ndaj ata janë të vetmit njerëz që më kanë parë të rritem pa ushqim dhe unë vendos emrin tim në çdo shtet ku kam qenë. Në Kroaci, në Hungari, në Spanjë. Kjo është arsyeja pse unë dëshiroj të vendos emrin tim këtu, pasi gjëja më e rëndësishme është kur ta mbarosh me futbollin, ajo që lë pas. Më e rëndësishmja është emri që ke vendosur kudo. Unë nuk dua që fëmijët e motrës time të rriten si unë pa ushqime, asgjë. Ndaj çdo gjë është fantastike tani”, tha Uzuni.
Por ai mbart mbi vete edhe nëj mision shumë të rëndësishëm, përtej aspektit personal. “Arsyeja pse unë dua të vendos emrin tim këtu në MLS është që të gjithë ta njohin Shqipërinë për gjëra të mira. Ndaj unë kam përgjegjësi edhe ndaj vendit tim që të jem këtu.
Trysni për vlerën rekord? Sigurisht, ka gjithmonë trysni. Padyshim, tani kam trysni më të lartë. Por unë e di, kjo është puna ime. Unë kam shumë vite që e bëj këtë, shënoj gola. Duhet pak kohë që të përshtatesh me një kampionat, me një vizion, por unë nuk kam dyshime te vetja. Jam besimplotë, unë besoj te vetja. Ndaj edhe golat do të vijnë”, tregoi Uzuni mes të tjerash.
Komente
