Të hënën nis Censi i Popullsisë, Maqedonia e Veriut thirrje maqedonasve në Shqipëri: Shprehni lirisht përkatësinë tuaj etnike

16 Shtator 2023, 16:53| Përditesimi: 16 Shtator 2023, 16:54

  • Share

TIRANË- Më 18 shtator në vendin tonë do të nisë Censusi i Popullsisë dhe Banesave! Mb 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave janë angazhuar për numërimin e të gjithë popullsisë dhe banesave dhe të dhënat do të mblidhen në 6 javë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje të gjithë maqedonasve në Shqipëri, që të shprehin lirisht përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore dhe fetare, në përputhje me ligjin dhe praktikën pozitive demokratike në Shqipëri.

“Shqipëria njihet në botë për shoqërinë e saj multietnike dhe multikulturore, në mënyrën se si u arrit në Maqedoninë e Veriut dhe që përfaqëson një trashëgimi autentike të paçmuar politike dhe kulturore. Duke e njohur rolin e maqedonasve si qytetarë lojal të Shqipërisë, regjistrimi i ardhshëm do t’u mundësojë atyre, përmes shprehjes së lirë të identitetit të tyre, të konfirmojnë përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore, fetare dhe identitare. Kjo do të konfirmojë edhe më shumë rolin e komunitetit etnik maqedonas në Shqipëri, në ndërtimin e urave të miqësisë mes dy vendeve.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të qëndrojnë në komunikim intensiv me përfaqësuesit e bashkësisë etnike maqedonase në Shqipëri, si dhe me institucionet e Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, për çështje që prekin çështjet e identitetit. Vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë aktive në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre të drejtave në të njëjtën mënyrë siç kemi bërë deri më tani”, thuhet në njoftim.

Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do kryhet me pajisje elektronike. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje. Do të përfshihen mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?