Të hënën nis shkolla/ Mësuesit: Jemi gati! Prindërit: Nuk e dimë ende se në çfarë ore do nisë mësimi

11 Shtator 2020, 17:30| Përditesimi: 11 Shtator 2020, 20:39

  • Share

TIRANË- Të ulur në këto banka (shiko video) ditën e hënë do jenë fëmijët të cilët do të nisin vitin e ri shkollor. Por ndryshe nga më parë ky vit do të zhvillohet nën kushtet e pandemisë COVID-19. Të vetëm në bankë me dezifektantin pranë, kështu do ta zhvillojnë fëmijët procesin mësimor.

Në shkollën “Kongresi i Manastirit” në kryeqytet mësimi do të zhvillohet me 4 nënturne, do të nisë në orën 8 dhe do të përfundojë në orën 17:30.

“Shkolla është e ndarë më 4 nënturne të vogla, mësimi nis në orën 08:00 dhe përfundon në orën 17:30 të pasdites. Klasat janë të ndara në dy nëngrupe të vogla në bazë të emrit të regjistrit pra 15 veta mund të qëndrojnë turn i parë dhe 15 veta të tjerë qëndrojnë turn i dytë dhe kjo normalisht lidhet me numrin e nxënësve nëpër klasa”-u shpreh nëndrejtoresha Marina Dallashi.

Në këtë shkollë që ka 1494 nxënës janë të angazhuar 70 mësues. Atyre  nuk u është kërkuar tamponim para se të nisë viti arsimor.

Formulari i vetdeklarimit të shëndetit nga nxënësit

“Janë rreth 70 mësues dhe nuk kemi as mangësi në mësues dhe as në numrin e klasave. Arsimi fillor përfshin vetëm një mësues dhe maksimumi mund të jetë një mësues i edukimit fizik dhe i gjuhës së huaj anglisht ndërsa cikli i lartë do të punojë në bazë të numrit  përkatës sipas orëve dhe orarit përkatës të vendosur”-tha nëndrejtoresha.

Në korridoret e shkollës janë vendosur vijëzime që fëmijët do të duhet t'i ndjekin për t'u futur në klasa si dhe postera me masat Anti-COVID. “Asnjë nxënës nuk do të lejohet që të futet brenda në rast se ka probleme shëndetësore ose temperaturë. Në momentin e parë do të bëhet shkelja tek klori që është vendosur në hyrje të shkollës, më pas matja e temperaturës dhe më pas dezifektimi me alkool për të gjithë fëmijët e vegjël po ashtu dhe për fëmijët më të mëdhenj që të futen në orën mësimore”-shpjegoi Dallashi.

Mësuesja e klasës së tretë, Alma Kokoli ndihet gati për të mirëpritur të vegjlit në banka. “Patjetër që jemi gati, është një lloj emocioni si në ditët e para dhe ne ju urojmë suksese dhe ta kalojmë sa më shpejtë këtë situatë. Përderisa ne të kemi kujdesin besoj se do ja dalim me sukses”-u shpreh mësuesja.

Prindërit njoftohen për turnet e mësimit te fëmijës edhe përmes grupeve në ëhats app. Por ndonëse vetëm fundjava na ndan nga fillimi i shkollës, jo të gjithë janë lajmëruar.

-Jo nuk na kanë thënë, na kanë thënë vetëm që mësimi fillon në 08:00-11:00 dhe në 11:30-13:00.

-Jo nuk dimë asnjë gjë, sot kemi ardhur për librat dhe nuk dimë asnjë gjë.

-Jo se është përcaktuar me numër rendor, numrin rendor thotë do ta japim kur të fillojë shkolla-u shprehën disa prej prindërve.

Procesi i dezifektimit është drejt përfundimit dhe gjatë 2 javëve të para do të bëhet përsëritje për mësimin që u zhvillua online.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?