Sociale

Vetëm 400 oficerë sigurie për 1400 shkolla bazë e të mesme! Ministria e Arsimit: Të hënën shtohen 60 oficerë të tjerë, në tetor gati 400

6 Shtator, 11:13| Përditesimi: 6 Shtator, 19:00

  • Share

Të hënën, vetëm 60 oficerë sigurie do të jenë gati për të ruajtur rendin dhe qetësinë në shkolla, pavarësisht se numërohen rreth 1400 institucione të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm. Ministrja e Arsimit tha se gjithsesi në tetor do të jenë në punë 400 oficerë sigurie, pasi t’i nënshtrohen trajnimit.

***

Nxënësit e arsimit bazë dhe atij të mesëm do të rikthehen në bankat e shkollës këtë të hënë.

Por pavarësisht masave për të parandaluar dhunën dhe bullizmin në institucionet arsimore, oficerë sigurie kanë më pak se 1/3 e shkollave.

Dy ditë përpara nisjes së mësimit, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu tha se të hënën do të jenë në punë vetëm 60 oficerë sigurie, ndërsa numri do të shkojë në 400 për pak javë.

“Këtë vit të ri shkollor, do të kemi më shumë se 390 oficerë sigurie. Po punojmë fort, dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, së bashku me Akademinë e Sigurisë, po trajnojnë të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e oficerëve të sigurisë në shkolla. Menjëherë është hapur rekrutimi për fazën e parë, ku më shumë se 60 oficerë sigurie do të jenë në shkolla në datën 8 shtator, dhe pjesa tjetër brenda javës së parë të tetorit. Pra do të kemi rreth 400 oficerë sigurie në shkolla dhe do të vijojmë të rrisim numrin e oficerë e të sigurisë duke vijuar nga viti i ardhshëm 2026. Kemi sot dhe një përmirësim të raportit të punonjësve socialë dhe psikologëve për nxënësit”.

Sipas INSTAT, në Shqipëri llogariten rreth 1000 shkolla 9-vjeçare publike dhe rreth 380 shkolla të mesme.

60% e shkollave nuk do të kenë oficerë sigurie, pasi sipas një vendimi qeverie të muajit prill 2025, një shkollë 9-vjeçare mund të ketë oficer sigurie, vetëm nëse ka mbi 350 nxënës, ndërsa gjimnazet, kur kanë mbi 80 nxënës.

Në prag të vitit shkollor, Manastirliu, zhvilloi një takim me punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla, të cilët këtë vit do të punojnë me një udhëzues të ri, për të rritur sigurinë.

“Ne jemi duke punuar që, në kuadër të Planit të Veprimit për Sigurinë në shkolla dhe për përforcimin e mekanizmave parandalues ndaj çdo forme të dhunës dhe bullizmit në shkollë, të kemi mundësi të rrisim numrin e oficerëve të sigurisë dhe të forcojmë mekanizmat ndihmës për këto njësi të rëndësishme që garantojnë mbrojtje dhe siguri për fëmijët tanë brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës".

Ndërkohë policia njoftoi masa shtesë për ditën e hënë, duke thënë se do të kontrollojë në hyrje të shkollës nxënës problematikë për sende të ndaluara, si dhe do të rritet perimetri i sigurisë afër shkollave, për shitës lëndësh të dëmshme.

KUSHTET PËR OFICER SIGURIE
Shkolla 9 vjeçare                     kur kanë mbi 350 nxënës
Në arsimin e mesëm   kur kanë mbi 80 nxënës
NUMRI I SHKOLLAVE SIPAS INSTAT
Arsimi 9 vjeçar                        1051 shkolla
Arsimi i mesëm                       380 shkolla

V.GJ /S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?