Të hënën në Tiranë, 16 qershor, do të mblidhen kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.
“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP.
Samiti ka për qëllim nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit me ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe integrimin në BE. Në orën 14:30, do të bëhet pritja e delegacioneve nga presidenti Begaj. Në 15:30, është parashikuar fjala hapëse e Begajt, ndërsa seanca plenare pritet të zgjasë deri në orën 17:00.
Presidenti pritet të zhvillojë edhe takime të veçanta me homologë dhe liderët pjesëmarrës për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende. Në mbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i kalojë homologut të tij bullgar Radev kryesinë e radhës të SEECP-së. Në fund, pritet të mbahet edhe një deklaratë për shtyp nga Begaj, presidentja e RMV Gordana Siljanovska-Davkova dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev.
Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024 - korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
Komente
