Çfarë ka ndodhur me shkrimtarët në vitet ’70, kur Kadare na vlerësonte si talente të reja mua, Natasha Lakon, Faslli Halitin e Moikom Zeqon
Në raportin e Ismail Kadaresë, mbajtur në Konferencën Kombëtare të talenteve të reja, prill 1970, përmendet disa herë me vlerësim emri im. Ky raport (referat) i Ismail Kadaresë që vlerëson shkrimtarët e rinj të kohës, emra si Natasha Lako, Faslli Haliti, Moikom Zeqo e shumë e shumë të tjerë, është botuar së fundi në librin e Dashnor Kalocit, “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të ëndrrave’” Në faqen 87 të këtij libri thuhet se emrat tanë, të shkrimtarëve të rinj, … “jemi bërë të njohur për lexuesit”. Unë deri atëherë kisha botuar vetëm në gazeta e revista. Në faqen 92 të librit shkruhet: “Nuk është e vështirë të dallosh vargjet e ngrohta, plot mendime, që kanë gjithmonë një rrjedhë të vetvetishme të Sadik Bejkos…” Në faqen 97 shkruhet: “Fakti që vite me radhë, poeti i ri i talentuar Sadik Bejko, nuk po boton dot një libër vjershash, nuk mund të përligjet…”. Këto thënie të Ismail Kadaresë në një raport zyrtar të kohës, të nxjerra sot nga arkivat, nuk më ndihmuan konkretisht për diçka. Për shumë vite mua më ktheheshin librat që çoja për botim. Vjershën e parë e botova në janar 1965, librin e parë e botova në dhjetor 1972. Në një dokument të prillit 1973, të botuar nga Dashnor Kaloci para tre ditësh në Gazetën shqiptare, Dhimitër Fullani, ish- shefi i redaksisë së Poezisë, Dramës dhe Kritikës në Shtëpinë botuese Naim Frashëri i raportonte Ramiz Alisë, sekretarit për kulturën në Kom Qendror të PPSH-së, se si i kishin censuruar poetët, si ua kishin kthyer mbrapsht librat, ua kishin përmbysur përmbajtjet, ua kishin redaktuar dhe “përmirësuar” në marrëveshje me autorët poezitë. Këto thënie ishin eufemizma, format e buta të shprehjes, për të mos thënë se, në fakt, ata hapur e pa mëshirë i kishin censuruar rëndë autorët. Mes shumë poetëve të atyre viteve në këtë raport përmendet dhe emri im, redaktimet, “përmirësimet” e poezive të mia “Lumi” “Meditim”, dhe “Rrënjët”. Ky është raport i vitit 1973. Po këtë vit u kritikua dhe Festivali I 11-të dhe unë përfundova punëtor nëntoke në minierën e qymyrgurit Memaliaj për gjashtë vjet (janar 1974- nëntor 1980). Para kësaj në vitet 1967-69 unë kam qenë ushtar në brigadë pune. Në vitin shkollor 1966-67 kam qenë drejtor i shkollës tetëvjeçare Syzes, Berat. Në brigadë pune vinin fëmijët e atyre që ishin cilësuar armik dhe kulak, djemtë që vinin nga kampet e internimeve…etj etj. Siç thashë, unë jam shkolluar me bursë shteti, isha drejtor shkolle, shkruaja e botoja poezi, gjyshi, babai, xhaxhai, nëna, daja im nuk kishin qenë ballistë a legalistë, nuk kishin lidhje me ata që cilësoheshin armiq a kulakë. Gjyshi kishte qenë këshilltar i nacionalçlirimtares. Pse mua më çuan ushtar në brigadë pune? Pyeta dhe më thanë se kushërinjtë e babait janë kulakë. Kjo nuk ishte përgjigje. Nuk e mora vesh asnjëherë se si përfundova ushtar me kazmë, pa pushkë. Ushtar me Edmond Teme Sejkon, me E. Merlikan, me Spartak Bedri Spahiun etj.Po kështu më pas punova si punëtor nëntoke. Në librezën time të punës këto vite shënohen si ushtar, minator… dhe kaq. Kjo për mua nuk mjafton. Gjatë viteve të minierës dhe dy vjet më pas, libri im “Rrënjët” u hoq nga qarkullimi. Po në kaq vjet unë nuk kisha të drejtë botimi. Siç thashë, në librezën time të punës shkruhet ushtar, shkruhet minator. Në fakt, në të dy rastet më është bërë padrejtësi. Më është marrë nderi. Jam çuar ushtar me ata që quheshin armiq. Kam punuar si minator si gjitha të tjerët, por për të tjerët ky ishte profesion i mirë dhe i nderuar, ndërsa për mua ishte ndëshkim, se isha një “i dërguar për riedukim nëpërmjet punës”. Riedukim në radhët e klasës punëtore, kjo ishte formula e kohës. Pra vitet e mia të minierës dhe ato të ushtrisë janë vite të poshtërimit, të dënimit tim, të marrjes nëpërkëmbë. Kam qenë njeri me nder të cenuar, me të drejta të kufizuara, i ndëshkuar që të mos ushtroj profesionin tim si mësues, të mos ushtroj të drejtën e të qenit shkrimtar. Njeri që duhet t’i nënshtrohesha kokulur padrejtësisë, arbitraritetit shtetëror. Për këto nuk ka asnjë vendim gjykate, asnjë urdhër administrativ të shkruar. Me urdhra verbalë që vinin nga lart me telefon ti mund të ndëshkoheshe pa të drejtë që t’i nënshtroheshe një gjykimi. Gruaja ime e pësoi se nuk më ndau (kërkesë që iu bë verbalisht), nga mësuese ajo punoi mbi dhjetë vjet si normiste me turne, me rrogë të përgjysmuar. Përse duhet t’i shkruaj këto? Po… këto sot nuk më duhen për asgjë konkretisht. Këto janë histori të së shkuarës, që me pak vullnet u japim një shkelm dhe i hedhim atje në të kaluarën. Në librezën time këto shkruhen si fakte neutrale… ushtar… minator… kur ato kanë qenë fakte aq brutale sa të prishnin jetën. Sot për ne të ndëshkuarit politikisht “me riedukim nëpërmjet punës” nuk ka ndonjë ligj që të na favorizojë. Çfarë favorizimi? Oh asgjë. Jo ndonjë shpërblim material. Po një rehabilitim moral… nuk do të ishte keq. Unë kurrë nuk kam folur deri më tani për këto më lart. I thashë tani këto peripeci që nuk janë vetëm të miat, se ka një debat për vuajtjet në kampet me tela e gjemba të kohës së diktaturës. Në këto javët e fundit disa avokatë të diktaturës, publicistë a historianë të afërt me diktaturën komuniste enveriste për nga idetë apo nga lidhje gjaku a familjeje duan që të ndodhurat t’i justifikojnë me formulën e ‘kontekstit kohor’. Unë mendoj se ka një kontekst evropian universal të së drejtës. Atë nuk e justifikon ajo mënyra e të thënurit “se ashtu ishte koha”. Padrejtësia vihet në vend duke dhënë të drejtë. Duke ndëshkuar fajtorin, krimet. Njeriu dhe e drejta e tij janë të shenjta. E kur këta pinjollë të diktaturës mbrojnë krimet e saj, pse mos të ketë ligje për të ndëshkuar ata që edhe sot përligjin krimet? Dhe ne që jemi ndëshkuar padrejtësisht, pse duhet të heshtim?
Sadik Bejko