Sezoni turistik nuk është çelur ende në vendin tonë, por turistët e huaj nuk kanë ngurruar të frekuentojnë bregdetin e Darëzezës në Fier.
Të ardhur kryesisht nga Anglia e Gjermania, ata kanë mbetur të mahnitur nga natyra shqiptare, ushqimi e mikpritja.
“Kam ardhur këtu prej Anglisë, po kaloj një kohë fantastike. Koha është me te vërtetë me diell çdo ditë; ushqimi është i shkëlqyer, i freskët, gjithçka ka shije te shkëlqyeshme; vendasit janë shume miqësorë dhe është me të vërtetë e lehtë për turistët të jenë këtu, sepse të gjithë flasin anglisht. Rekomandoj të vini këtu me pushime, është një udhëtim i shkurtër nga Britania e Madhe, dhe do të kaloni një kohe të shkëlqyer”, tha anglezja Nancy Piligrim.
Moti me diell pjesën më të madhe të vitit, është një tjetër arsye për të cilën ata thonë se Shqipëria ia vlen të vizitohet.
“Vendi është i bukur, njerëzit janë miqësorë, ushqimi është i mahnitshëm. Na u deshën 2 ore për të ardhur këtu, kështu që, me të vërtetë jam i kënaqur, është shumë mirë, ua rekomandoj”, tha Lyndon Allan.
Bregdeti i Darëzezës është një ndër plazhet ende është i paprekur nga ndërtimet masive. Në të gjendet një hapësirë e madhe rëre, që vitet e fundit nuk po shfrytëzohet vetëm nga vendasit, por dhe pushues nga e gjithë Shqipëria e bota.