Ymer Minxhozi

Të jetosh për të njohur njerëzit

(Në vend të një homazhi për Ymer Minxhozin në një-vjetorin e ndarjes nga jeta)

Sot, më 2 qershor 2022, mbushet një vit prej ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe publicistit të shquar Ymer Minxhozi. Ne miqtë, shokët dhe kolegët e tij ruajmë kujtime të shumta nga ai dhe e kujtojmë shpesh me dashuri. Pa le më familja dhe të afërmit e Ymerit.

Këto ditë, në prag të një vjetorit të ndarjes nga jeta, djali i tij, publicisti i njohur, Skënder Minxhozi, u kujdes për t’i rregulluar banesën e fundit Ymerit. Në pllakën e varrit të tij është shkruar një epitaf krejt i veçantë, që në të vërtetë është një aforizëm e shkruar nga vetë Ymeri.

Aty shkruhet: “Sapo kujtova se njoha të gjallët, erdhi koha t’u shkoj pas të vdekurve”. Ky epitaf shpreh sa mençurinë e Ymerit, aq edhe një nëntekst të fuqishëm, në trajtën e një mesazhi për të gjallët.

Ymeri luftoi dhe jetoi për të njohur njerëzit. Fatmirësisht jetoi gjatë, në tre sisteme shoqërore. Dhe shkroi shumë mbi përvojën e tij jetësore, mbi realitetet që njohu në Shqipëri dhe në tre kontinente ku jetoi dhe punoi. Shkroi për njerëz dhe ngjarje të jetuar. E njihte shume mirë trillin, por nuk trilloi kurrë. Në librat e tij ka vetëm të vërteta të thëna shkoqur dhe qartë. E donte këtë jetë sa më të mirë e më të begatë, i donte njerëzit e mirë, ndërsa urrente dhe përbuzte batakçinjtë, të pabesët, njerëzit me shumë fytyra dhe interesaxhinjtë e paskrupullt. Janë mbi njëzet libra të gjinive të ndryshme që ai i botoi duke ngjallur admirimin e lexuesve të shumtë të tij. Si njeri i kulturuar, që kishte lexuar shumë, ai kishte një humor të hollë. Përdorte me finesë sarkazmin, shkruante fejtone dhe pamflete shumë të bukura ku ironizonte veset e këqija të njerëzve, kushdoqofshin ata.

Nuk ambientohej kollaj me ndryshimet e befta dhe kthesat e mëdha. Sidomos zemërohej shumë kur sulmohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dëshmorët e saj. Jo vetëm se të tre vëllezërit Minxhozi, Beqiri, Tahiri dhe Ymeri kishin qenë pjesëmarrës në atë luftë, por mbi të gjitha se ai e konsideronte atë luftë si një faqe e ndritur dhe kurorë lavdie e historisë së Shqipërisë.

Ymeri mbeti deri në fund rob i makinës së shkrimit, për të cilën porosiste edhe nga jashtë shtetit shirita, pasi këtu prej kohësh makinat e shkrimit ishin zëvendësuar me kompjuterin. Por me kompjuterin ai nuk u mësua dot. Edhe gazetat i lexonte fizikisht. Ishte një lexuesit më besnikë të gazetës “DITA”, për të cilën bënte abonim çdo fillim viti.

Vitet e fundit ishte i lodhur. Kishte shumë mendime, por nuk i hidhte dot në letër. Shkruante aforizma të shkurtra. Edhe miku i tij bashkëmoshatar, Dritëro Agolli, kështu bënte vitet e fundit të jetës. Dritëroit iu botua një libër i tërë me aforizma pas ndarjes nga jeta. Jam i sigurt se edhe Skënderi kështu do të bëjë me aforizmat e babait të tij. Në vijim janë disa nga aforizmat e Ymerit.

– Duartrokitjet nuk janë gjithmonë duar që përshëndesin.

– Dy doktorë ka njohur Shqipëria: doktor Adhamudhin dhe doktor Rrumpallën.

– Duke ndryshuar shpesh pikëpamjen, mund të transformohesh në pikëpyetje.

– Degët janë vazhdimi i rrënjëve. Disa herë rrënjët janë në rërë.

– Duke ngritur gishtat mund të gabosh e të nxjerrësh sytë e tu.

– Duke pritur ta ftojnë në presidium, mbeti pa vend në sallë.

– Duke punuar për të qenë brenda mund të mbetesh jashtë.

– Djalli, asnjëherë nuk fle, bile as në mbledhje.

– Disa njerëz, në dallim nga qentë, lehin kundër të vetëve dhe u lëpihen të huajve.

– Disa zgjidhje i ngjajnë shuarjes së zjarrit me anë të përmbytjes.

– Dekreti e ka shpallur “Profesor doktor”. Në bibliotekë s’e njohin si autor.

– Duke kthyer kokën pas, mund të biesh edhe në gropë.

– Disa njerëz e kanë siguruar të tashmen e ndritur, me anën e të kaluarës së errët.

– Demi e ul kokën jo se është i penduar, por ngase ky është pozicioni më i përshtatshëm për të sulmuar.

– Diktatura s’na linte të flisnim. Në demokraci s’na dëgjon askush se ç’themi.

– Edhe tigri prej letre është i rrezikshëm, në qoftë se letra është gazetë.

– E çfarë të duhet gjuha, kur mund të nxjerrësh flori nga heshtja?

– Edhe yjet e politikës zbehen, po t’u hedhësh rreze drite.

– E para është fjala. Në fillim shpiket gënjeshtra, pastaj vihen të kërkojnë të vërtetën.

– En face dhe profil na japin të njëjtën fytyrë: en face shenjtor, profil i ndyrë!

– E thirrën ballistin në fushën ku ndaheshin fishekët. Ai iku me të katërta dhe ndoti brekët.

– Kryetari i këshillit të fshatit i njoftonte çdo mëngjes banorët të ndryjnë pulat në kotec sepse këtej do të kalojnë ata të Ballit.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?