Interpol Tirana ekstradoi sot (21 Shtator) dy persona në drejtime të kundërta në aksin Itali-Shqipëri, të akuzuar apo dënuar për kultivim droge dhe grabitje me armë në bashkëpunim.
Ata janë Erjon Haxhiu, nga Kurbini dhe Valentino Gjeloshi alias Nino Gjeloshi, nga Kruja.
Policia e Shtetit konfirmoi dy operacionet e ekstradimit të kryera në Rinas për të kërkuarit ndërkombëtarë, në vijim të aksioneve të përbashkëta me partnerët italianë, të koduara “Para drejtësisë”.
I pari u soll në pranga nga Italia prej Interpol Romës Erjon Haxhiu, 53 vjeç, nga Miloti, që akuzohet se kultivoi 320 bimë narkotike cannabis sativa, afër banesës së tij, në vitin 2022.
“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datës 31 Maj 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”, tha Policia. Operacioni për korrjen e bimëve u bë në Kurbin më 4 Maj të vitit 2022.
Kurse më pas agjentët shqiptarë përcollën drejt vendit fqinj po në pranga, edhe 46-vjeçarin me dy identitete, Valentino Gjeloshi alias Nino Gjeloshi, nga Kruja, i dënuar me 9 vite burg, nga të cilat i kanë mbetur më shumë se 5 vite për të vuajtur.
Policia sqaron se:
“Ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, pasi Gjykata e Apelit në Firence, në vitin 2022, e ka dënuar me 9 vjet burgim për veprën penale “grabitje me armë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal Italian (i kanë mbetur për të vuajtur 5 vjet, 9 muaj e 16 ditë burg)”.