Giovanni Colella, trajneri i Partizanit

‘Të martën marr avionin dhe iki’, Colella: Partizani ka 50% shanse për titullin

28 Maj 2023, 13:18| Përditesimi: 28 Maj 2023, 13:28

  • Share

Partizani dhe Teuta luajnë nesër në 16:00 për javën e fundit të kampionatit. Në “Arenën e Demave”, Partizani ka mundësinë që me një fitore të sigurojë titullin kampion, duke qenë se bashkëkryeson Superligën me Tiranën (64 pikë). Para ndeshjes për mediet foli trajneri i të kuqve, Giovanni Colella.

“Ndeshja e fundit? Është gara e fundit, nuk kam çfarë them. Punon dhe ushtron këtë profesion për të arritur këtu. Askush nuk bën punë për të rënë nga Kategoria. Është mëse normale të luash një ndeshje finale ku mund të shpallesh kampion që ke satisfaksion”, tha italiani.

Më pas Colella tha se shanset për titullin janë të barabarta me Tiranën.

“50 me 50 mendoj. Për të fituar ka një kombinim me shumë faktorë. Edhe fakti që ka shumë trajnerë që fitojnë dhe trajnerë që nuk fitojnë asnjëherë por trajneri është krahu i shoqërisë dhe koka e skuadrës. Sigurisht që e rëndësishme është që nesër kemi një moment kuptimplotë dhe nesër duhet të fitojmë ndeshjen”, vijoi trajneri.

Colella foli edhe për pushimet, teksa këtë të martë ka prenotuar rikthimin në Itali, te familja. Trajneri vlerëson edhe ekipin që ka, duke dashur rinovimin.

“Sido që të shkojnë gjërat, ka një skuadër shumë të mirë. Në çdo kompeticion që do të luajmë kemi skuadër gati për ta përballuar. Për më tepër nuk mund të diskutojmë se kush ikën e kush vjen. Sigurisht me kohën do të bëjmë disa ndërhyrje por jo nesër por në vazhdim. Janë gjëra të programuara. Të martën kam avionin për të udhëtuar”, tha Colella mes të tjerash.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?