Kampionia e Shqipërisë, Egnatia, të martën do të mësojë kundërshtarin për fazën e parë të kualifikueseve të Champions League. Në shortin që do të hidhet në Nyon të Zvicrës, duke nisur nga ora 14, dy herë radhazi fituesit e Superligës, janë të pozicionuar në vazon e skuadrave jo favorite dhe mund të përballen me ekipe si Ludogorets, Steaua e Bukureshtit por edhe Drita e Kosovës.
Prej ditësh tashmë rrogozhinasit kanë nisur stërvitjen, ndërsa ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues do ta luajnë më 8/9 korrik, ndërsa të kthimit një javë më pas më 15/16 korrik. Për të qenë sa më gati për Evropën, Egnatia që kërkon të bëjë histori dhe të fitojë shifra të majme, ka bërë 3 goditje të rëndësishme në merkato në harkun e dy ditëve. Skuadra e Edlir Tetovës ka marrë 21-vjeçarin Jose Menez nga Flamengo si mbrojtës anësor, Misak Hakobian si sulmues anësor dhe Anio Poçin në mesfushë.
Po të martën do të mësojnë kundërshtarët në Conference League edhe 3 skuadrat e tjera shqiptare. Vllaznia dhe Partizani janë në vazon e skuadrave favorite, ndërsa Dinamo e Ilir Dajës në grupin e skuadrave jo favorite.
Partizani deri më tani ka bërë 3 goditje në merkato, duke afruar në sulm Xhuliano Skukën, Vusal Isgandarlin dhe Karloz Martinez në mbrojtje nga Kosta Rika. Vllaznia është përforcuar në mbrojtje me Aleksander Kuron, Esin Hakajn dhe Artan Jazxhin. Dinamo deri më tani ka zyrtarizuar mbrojtësit Ysni Ismaili, Faton Neziri si dhe sulmuesin Florenc Farruku, ndërsa është shumë pranë qendërsulmuesit nga Dukagjini i Kosovës Hekuran Berisha.
Komente
