Të mbyllim derën e pastrimit të parave! Gati projektligji për kontrollin e pasurive të OJF-ve dhe fondacioneve

11 Qershor 2020, 17:01| Përditesimi: 11 Qershor 2020, 18:03

  • Share

Pasi vendi u fut përsëri në listën gri për pastrimin e parave në muajin shkurt, qeveria është vënë në lëvizje për të mbyllur shtigjet ndaj aktivitetit kriminal.

Një projektligj i hartuar nga Ministria e Drejtësisë synon krijimin e një sistemi elektronik për kontrollin e fondacioneve, organizatave jo-fitimprurëse apo edhe donacionet, të cilat tashmë do të jenë të monitoruara në çdo moment nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për regjistrimin, aktivitetin dhe të ardhurat e tyre do të ngrihet një Regjistër Elektronik, i cili lehtëson procedurat e OJF-ve.

Ky projektligj, në finale synon krijimin e një databaze për të ndaluar pastrimin e parave. Ministria e Drejtësisë shprehet në draftin e hedhur për konsultim publik se sistemi aktual i regjistrave të mbajtur manualisht është jo efektiv

Nga ana tjetër kjo nismë ligjore është edhe një përgjigje ndaj kërkesave dhe sugjerimeve të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, “Moneyval"  të cilët kishin rekomanduar kontroll më të rreptë ndaj këtyre subjekteve.

Po ashtu “Moneyval” kishte dalë në konkluzionin se vendi ynë nuk ka ndonjë politikë të qartë për të promovuar llogaridhënien, integritetin dhe besimin publik në administrimin dhe menaxhimin e OJF-ve, duke patur një qasje të kufizuar ndaj sektorit të OJF-ve dhe komunitetit të donatorëve për çështjet e financimit nga terrorizmi.

Në muajin shkurt edhe FATF, Task Forca Financiare e Moneyval rekomandoi një nismë të tillë ligjore. Sa i takon OJF-ve ato regjistrohen fillimisht pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe tashmë çdo deklarim në regjistrin elektronik i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 15 000 lekë. Po ashtu edhe moskryerja e regjistrimit fillestar do të dënohet me gjobë 15 000 lekë.

Të dhënat e detyrueshme për organizatat jofitimprurëse:

1. Për regjistrimin fillestar të organizatave jofitimprurëse janë të detyrueshme këto të dhëna:

a) emri;

b) forma;

c) data e themelimit;

ç) të dhënat e identifikimit të themeluesve;

d) selia;

dh) qëllimi dhe fusha e veprimtarisë;

e) kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar;

ë) anëtarët e organeve drejtuese, duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen dhe datëlindjen e tyre;

f) të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre;

g) në rastin e fondacionit: përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues;

gj) specimenet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë organizatën jofitimprurëse përpara të tretëve.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Paraja: 12/06/2020 09:50

    Punet behen kur kapen nga koka,jo nga kembet.Fusni ne xhepat e shqiptareve parate qe kane vjedhur pushtetaret nga president hajduti deri tek me i fundit, e pastaj merruni me parane informale te sotme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?