Kupa e Shqipërisë ka zhvilluar pesë nga tetë ndeshjet e para për fazën e 1/8. Në duelet e sotme që filluan në 13:00 u shënuan 17 gola, teksa skuadrat e Superligës bënë detyrën, duke dalë të fituara. Ndeshja e Ballshit mes Bylis dhe Vllaznisë (fituese në fuqi) u fitua nga miqtë 0-2. Jonuzi dhe Kaina vendosën duelin duke hedhur një hap drejt kalimit të turit.
Në kryeqytet, Kastrioti fitoi 1-3 në transfertë me Dinamon. Danaj shënoi për "Blutë", teksa për krutanët golin e gjetën Hasani, Zogaj dhe Arapi. Në Peshkopi, Korabi humbi 1-3 me Partizanin. Dy herë Skuka dhe Murataj shënuan për miqtë, teksa Beshiraj për dibranët. Skuka u rikthye në staidumin ku ka dalë si futbollist, duke shënuar dy gola por pa festuar.
Në stadiumin "Roza Haxhiu", vendasit e Lushnjës humbën 0-3 me Tiranën. Patrick dy herë dhe Hila vendosën ndeshjen në pjesën e parë. Në Berat, Laçi fitoi 1-3 me Tomorin. Kujtojmë se në ndeshjet e kthimit golat në fushë kundërshtare nuk do merren në konsideratë si me më shumë peshë, rregull që është hequr edhe nga UEFA. Nesër luhen tre duele: Apolonia - Kukësi, Skënderbeu - Egnatia dhe Erzeni - Teuta.
Ndeshjet e para, Kupa e Shqipërisë - faza 1/8
Bylis 0-2 Vllaznia (Jonuzi 37', Kaina 90+3')
Dinamo 1-3 Kastrioti (Danaj 4' / Hasani 13', Zogaj 51', Arapi 90')
Korabi 1-3 Partizani (Beshiraj 61' / Skuka 39', 53', Murataj 81')
Lushnja 0-3 Tirana (Patrick 11', 20', Hila 23')
Tomori 1-3 Laçi (Ismailaj 83' / Spahiu 39', Babatunde 50', Borysiuk 62')
Ndeshjet e kthimit luhen në 1-2 shkurt 2023