Tirana e shumë problemeve jashtë fushë, por që në ndeshjet e fundit po merr fitore, të mërkurën në orën 18:00 pret Kukësin në Air Albania, me qëllimin për të përmbysur humbjen 0-2 të pësuar në gjysmëfinalen e parë të Kupës. Ky kompeticion të dërgon direkt në Kupat e Europës, në një kohë kur Tirana rrezikon final-four, por ambienti është më shumë i shqetësuar për aksionet e klubit, të dalë në shitje nga përmbaruesi pas një borxhi që Halili Sh.p.k i detyrohet kreditorit Abedin Treza.
“Skuadra ka besim të plotë te vetja për të bërë një përmbysje, pasi dihet që në lojë është një trofe dhe jemi larg finales me 1 ndeshje. Do jetë e vështirë sepse Kukësi është komod me rezultatin, por ne kemi lojtarë me eskperiencë që kanë luajtur ndeshje të tilla. Do bëjmë maksimumin për të kaluar në finale,"-u shpreh Erbim Fagu, trajner i Tiranës.
Njëjtë si Tirana, edhe Vllaznia të mërkurën në orën 18:00 do kërkojë përmbysjen e rezultatin në Shkodër kundër Egnatias, me qëllimin për të siguruar finalen e Kupës. Skuadra e drejtuar nga Qatip Osmani humbi 1-0 gjysmëfinalen e parë në Rrogozhinë, por vjen pas një seri rezultatesh zhgënjyese dhe kundër krysuesve të kampionatit pritet shumë e vështirë.
“Dëshiroj ta mbyllimin kualifikimin në 90 minutësh. Pra të kemi një diferencë prej 2 golash,”-tha Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë.
“Të gjithë e kemi në kokë ndeshjen e fundit në Shkodër kundër tyre kur bëmë një ndeshje të bukur dhe arritëm të fitojmë. Jam i bindur që më mbështetjen e tifozëve, që pritet të jetë e madhe do na japë një shtysë ta përsërisim atë ndeshje dhe të marrim kualifikimin,"-deklaroi Bekim Balaj, kapiten i Vllaznisë.
Sot klubi shkodran, pas disa lajmeve, mohoi të kishte merkaton e bllokuar për shkak të pagave të papaguara, ndërsa nëse kalon Egnatian finalen e Kupës do ta zhvillojë më 14 maj në Air Albania.