Duke marrë shkas nga rritja e numrit të aksidenteve tragjik si pasojë, e drejtimit të automjetit nga të mitur dhe adoleshentë, ekspertët bënë thirrje për situatën alarmante dhe rastet në rritje të fëmijëve qe shkaktojnë aksidente teksa ngasin automjete pa leje drejtimi.
Të ftuar në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Gerhard Baka, Komandant i Qarkullimit në Tiranë, Roland Islami, avokat, Enertila Bekteshi, psikologe dhe Suela Kocibellinj, Aktiviste e Shoqërisë Civile diskutuan mbi problematikat dhe faktorët që ndikojnë në qasjen ë të miturve për të drejtuar makinën nën moshën e lejuar dhe edukimin aq të nevojshëm të tyre.
Komandant i Qarkullimit të Tiranës tha se ky fenomen duhet goditur që në gjenezë, pasi statistikat tregojnë rritje të rasteve të të miturve qe kane shkaktuar aksidente.
“Raportet tregojnë se vetëm për këtë vit në kryeqytet janë referuar 30 raste të të miturve duke drejtuar automjete pa leje drejtimi. Ajo që vërehet jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera është rritja e këtyre statistikave”, u shpreh Baka.
E duke iu referuar rasteve nga praktika Komandant tha gjithashtu, se ka pafund prindër të pandërgjegjshëm, të cilët i udhëzojnë fëmijët e tyre drejt qasjes për tu bërë shkaktarë në aksidente.
“Ka raste kur prindërit e papërgjegjshëm i japin timonin fëmijëve i filmojnë dhe i reklamojnë në rrjetet sociale. Ka pafund raste të evidentuara dhe këtu nis problematika e këtij fenomeni sepse prindërit duhet të jenë edukues dhe jo nxitës në vepra shoqërisht të rrezikshme”, u shpreh komandanti.
Më tej psikologia Enertila Bekteshi foli mbi faktorët që shpien në pasojat dhe përhapjen e këtij fenomeni.
“Mjetet luajnë rol të rëndësishëm në jetën tonë, aq ,më tepër të të miturit dhe adoleshentët, të cilët i shohin si një dashuri më vete. Nuk janë të pakta rastet nga TikTok, ku të mitur shfaqen në timon. Shifrat janë në rritje, kjo duket nga rrjetet sociale dhe situata është alarmante. Joshja nga rrjetet sociale, shoqëria, ambiente e papërshtatshme janë fenomene që i drejtojnë rreth kësaj gjëje ”, u shpreh psikologia.
Më tej teksa u pyet rreth përgjegjësisë penale në një aksident, Komandanti tha se në rast aksidenti nga të mitur nën 16 vjeç, prindi ose kujdestari ligjor është përgjegjës për kundravajtjen penale.
Gjithashtu Aktiviste e Shoqërisë Civile Suela Kocibellinj u ndal te fokusi që duhet të jepet në edukimin e të miturve dhe adoleshentëve.
“Nuk mund të besojmë në mediat sociale për të edukuar fëmijët, prindërit, mësuesit duhet tu kushtojnë vëmendje dhe të kontrollojnë informacionet që ata marrin në rrjetet sociale. Familja, shkolla dhe komuniteti janë përgjegjës,”, u shpreh aktivistja.
Ndërsa për përgjegjësinë ligjore dhe dënimit në rast aksidenti avokati Roland Islami, i vuri theksin mungesën së legjislacionit për të dënuar vrasjen rrugore.
“Jemi ndër të paktat vende që nuk e kemi parashikuar vrasjen rrugore por kemi vetëm dënimin për veprën penale shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, megjithëse duhet cilësuar vrasje rrugore. Gjithashtu nuk ka zbatim të kodit penal për të mitur,”, u shpreh aktivistja.