Tiranë/ Rrëfimi i të miturave 'imune' ndaj bullizmit në TikTok: Jam mësuar me komentet negative! I shmang! Psikologia: 90% e fëmijëve në 9-vjeçare përdorin telefonin

19 Shkurt, 16:13| Përditesimi: 19 Shkurt, 18:25

  • Share

15 vjeçe, nxënëse e klasës së 9-të në një shkollë në Tiranë prej vitesh mban celular dhe ka hapur profile në rrjeteve të ndryshme sociale, ku hedh edhe imazhe apo video të saj me trendet më të fundit. Disa herë ka rënë pre e bullizimit dhe komenteve negative, por thotë se tashmë nuk i bëjnë përshtypje.

“Ishin kohë të vështira dhe duhet të merrnim telefonin dhe të komunikonim me to. Pastaj dhe për argëtim pse jo, të përdornim rrjete sociale. Në Instagram, Snapchat dhe Tik-Tok. Në tik-tok publikoj ndonjëherë një trend. Në snapchat komunikoj me njerëz që nuk kanë numra telefoni, ndërsa në Instagram për të parë të rejat. Në Tik-Tok, pata hedhur një video timen, dhe thonin që ju jeni kalamaj, cfarë doni me to dhe shumë komente të tjera negative. Nuk është se ndikuan tek unë, por nëse do ishte dikush tjetër edhe do u ndikonte. Tik-Tokun e kam pasur që e vogël dhe isha mësuar me komentet negative. Në fillim e ka menaxhuar mami”, tha një 15 vjeçare.

Alarmuese është fakti se 90% e nxënësve në shkollat 9 vjeçare janë mbajtës të një celulari, dhe pjesa më e madhe e tyre përdorin platformat e ndryshme në internet. Gjatë procesit mësimor nuk lejohen, por kur dalin jashtë klase të gjithë i shikon duke i përdorur ato.

“Kam 3 vite qëkur e kam hapur TIK-Tok dhe kryesisht shoh video për futboll. Nuk hedh video me fytyrë. Shahen shumë njerëz në komente. Telefonin e kam marrë këtë verë. Kur hapa Tik-tokun në fillim e bëra që mos të shoh gjëra për të rritur”, tha një nxënës i klasës së 7-të.

“Hedh foto, video të miat. E kam me emrin personal. Shikoj video dhe hedh. Kam parë bullizime ndaj të tjerëve. I shmang, por kam dhe që i shoh nga kureshtja. Personat e shtëpisë ma kontrollojnë. Ka qenë një rast, një goce në klasë që e kanë hedhur në Tik-Tok fytyrën e saj dhe e kanë bërë meme”, tregoi një tjetër.

Psikologia e shkollës 9 vjeçare “Pjetër Budi”, Eriselda Dervishi, tregon për Report Tv, se rastet e bullizmit apo denigrimit në rrjete sociale mes nxënësve janë të shumta. Ajo tregon një rast kur vajzat e dy klasave paralele kishin hapur profile false për njëra tjetrën ku përdorej dhe fjalori denigrues.

“Përditë ne trajtojmë raste kur fëmijët bullizojnë njëri-tjetrin në rrjete sociale. Ndoshta është bërë bullizmi në internet edhe më masiv se sa në mjediset e shkollës. Ne kuptojmë nevojën që ka prindi për t'u informuar kur përfundon procesi mësimor, por do ishte mirë që të kufizohej”, tha psikologia.

Një 27-vjeçar u arrestua të dielën nga krimi kibernetik i Tiranës pasi shantazhonte një vajzë të mitur 15 vjeç përmes rrjeteve sociale. I riu Benard Çullhaj kishte hapur profile false në rrjetet sociale dhe i kërkonte të miturës që të kryente marrëdhënie seksuale me të. Hetimet zbuluan  se i arrestuari kishte kërcënuar edhe 2 të mitura të tjera në të njëjtën mënyrë.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?