Arrestimet e fundit kanë ndodhur në Republikën Çeke dhe në Ukrainë. Një burrë që punonte si taksist u ndalua në Pragë, ndërsa një 17-vjeçar u kap në Kiev. Dy profile të ndryshme, por të bashkuar nga një “kontratë” me rusët për të sabotuar ose për të spiunuar – figura të vogla në një falangë hijesh. Të përdorshëm, me kosto të ulët dhe lehtësisht të zëvendësueshëm.
Ofensiva ka nisur pas pushtimit, por pa ngut, pasi Moska është dashur të përshtatet me rrethanat, ashtu si edhe në fushën e betejës. Perëndimorët kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, përfshirë agjentë sekretë dhe “zyrtarë” që kishin për detyrë të vëzhgonin armikun. Më pas kanë pasuar hetime të njëpasnjëshme që kanë zbuluar shumë “të paligjshëm”, agjentë të infiltruar, shpesh çifte, ndonjëherë edhe me fëmijë dhe me punë të ligjshme, që shtirreshin si grekë, brazilianë apo argjentinas. Në këtë pikë, shërbimet sekrete të Vladimir Putinit janë detyruar të rregullojnë taktikën: përdorim i kursyer i njësisë 29155, një grup elitë i trajnuar për të vepruar pas vijave të frontit; mbrojtje për operativët klandestinë; krijimi i një rrjeti figurash amatore.
Shifrat
Qarkullojnë shumë shifra mbi përmasat e kërcënimit – një sfidë e ilustruar nga zjarrvënie, shpërthime serioze, mjete shpërthyese, akte vandalizmi apo edhe provokime të thjeshta. Agjencia Associated Press ka evidentuar 70 episode që nga viti 2022, 12 vetëm gjatë këtij viti, ndërsa pak në vitin 2023. Një studim i ACLED e ka dyfishuar këtë shifër dhe ka renditur Gjermaninë si zonën më të goditur. Një rekord që lidhet me rëndësinë politike dhe industriale të saj, përfshirë gjigantin ushtarak Rheinmetall.
Ka një zinxhir të pafund lajmesh që tregojnë për goditje të kryera në të gjithë Evropën, me një prirje për në Veri, pra në ato vende ku qeveritë kanë treguar më shumë vendosmëri kundër Rusisë. Djegie depozitash të dhënash, pako-bomba në avionë të DHL, një sulm ndaj rezidencës së kryeministrit britanik, zjarrvënie, përpjekje për të dëmtuar dërgesa në ndihmë të ukrainasve, vëzhgim të bazave ushtarake, madje edhe ide (ende të paqarta) për përdorimin e kamikazëve. Ekspertët janë të një mendimi se objektivat janë të shumëfishta: të provokohet kaos dhe pasiguri, të tregohet dobësia e sistemeve perëndimore, të nxisen tensione dhe, kur të jetë e mundur, të përmbushen plane komplekse – megjithëse kjo mbetet e vështirë, për shkak të cilësisë së ulët të personave të përfshirë.
Metoda e veprimit
Hetimet e policive evropiane kanë bashkuar pjesë që përbëjnë një vijë të qartë të një mënyre veprimi. Rekrutuesit kanë kontaktuar bashkëpunëtorët nga distanca, përmes ofertave në Telegram, duke u premtuar shpërblime që variojnë nga disa qindra euro deri te shuma më të mëdha. I kanë joshur duke u premtuar shumë, duke u sugjeruar se çfarë të bëjnë dhe si ta bëjnë. Në një rast, menaxheri rus e ka këshilluar burimin e tij të shikonte serialin e njohur “The Americans”, që rrëfen jetën e një çifti spiunësh në SHBA, si burim frymëzimi.
Shpërblimet
Aspekti i dytë që ka dalë në pah është se hetuesit shpesh janë përballur me të rinj, disa prej tyre minorenë, pa përvojë, por mjaftueshëm të papërgjegjshëm për të hyrë në këtë lojë. Jo të paktë janë edhe ukrainasit e moshave më të mëdha. Rrallëherë arsyeja ka qenë ideologjia – një motivim që nuk funksionon mirë. Prandaj “moskovitët” kanë zgjedhur të përdorin para, kriptovaluta, shpërblime. Një metodë që mund të tërheqë këdo, sidomos në një moment të vështirë jetësor.
Dhe ia vlen të kujtohet se edhe iranianët janë përfshirë në këtë strategji, duke përdorur anëtarë të bandave skandinave, “bikers” nga Amerika e Veriut, figura të Mocro-mafias holandeze, si dhe “të margjinalizuar” që nuk do ta kishe menduar kurrë se do të merrnin pjesë në një atentat. Por kjo është njëkohësisht forca dhe dobësia e kësaj zgjedhjeje. Pa harruar rastet e tjera: histori në Austri e Gjermani – si ndërhyrjet e biznesmenit Jan Marsalek, sot i strehuar në Moskë – kanë treguar se Rusia mund të depërtojë shumë lart, përmes njerëzve të papritur, të aftë për të marrë informacione dhe për të rekrutuar bashkëpunëtorë në institucione dhe struktura shtetërore.
Komente
