Të paktën 17 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, sipas Al Jazeera, duke cituar burime spitalore në enklavën palestineze që ra në duart e Hamasit në vitin 2007 dhe ku operacionet ushtarake izraelite po vazhdojnë në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Ndërkohë, IDF ka paralajmëruar popullsinë në qytetin e Gazës se rruga bregdetare Rashid do të mbyllet në veri drejt qytetit duke filluar nga ora 12:00. Udhëtimi drejt jugut do të lejohet dhe do të vazhdojë pa inspektim të ushtrisë. Ushtria pret që Hamasi të rrisë sulmet ndaj trupave të tij në ditët në vijim.Sipas vlerësimeve izraelite, mbi 800,000 njerëz janë larguar tashmë nga Qyteti i Gazës pas paralajmërimeve të shumta për evakuim.
Ndërkohë flota humanitare ndërkombëtare "Global Sumud" është 120 milje larg brigjeve të Gazës dhe do të tentojnë të dërgojnë aty ndihma humanitare. Një anije e marinës izraelite është nisur drejt tyre dhe pritet që të ketë kontakt me ta rreth orës 15.00. Gjatë natës, aktivistët në bordin e anijeve humanitare raportuan se mjete lundurese të panjohura u afruan drejt tyre.
Lajm në përditësim…
Grupi terrorist palestinez Hamas është ende duke diskutuar qëndrimin që do të mbajë ndaj planit të paraqitur nga Shtëpia e Bardhë për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, një plan që zyrtarë të lartë të lëvizjes e kanë cilësuar si “të padrejtë dhe të njëanshëm”, por që do të shqyrtohet “me pozitivitet absolut”. Këtë e raporton gazeta saudite Asharq al-Awsat, duke cituar burime nga grupi i armatosur që është në pushtet në Gaza.
Plani i presidentit amerikan Donald Trump, i shpallur të hënën në Uashington, parashikon tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe çarmatim të aftësive ushtarake të Hamasit. Pika më e ndjeshme për Hamasin, sipas gazetës, është kërkesa për çarmatim, që mbetet një vijë e kuqe për grupin.
Burime nga Hamasi janë ankuar se plani i Shteteve të Bashkuara i jep Izraelit liri të madhe për të vendosur ritmin e tërheqjes nga Gaza dhe nuk përmban garanci detyruese. Sipas tyre, grupi mund të propozojë disa ndryshime të vogla që lidhen me lirimin e pengjeve izraelite dhe nxjerrjen e trupave të pajetë, duke përmendur vështirësitë logjistike për të rikuperuar trupat nën rrënojat e shkaktuara nga sulmet ajrore.
Gjithashtu, burimet thonë se afati 72-orësh i propozuar nga Trump për shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë është i parealizueshëm, dhe se Hamasi kërkon më shumë kohë.
Që kur ka marrë planin, Hamasi ka zhvilluar takime gjatë natës dhe e ka shpërndarë dokumentin edhe tek fraksione të tjera palestineze, sipas burimeve. Ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia i kanë bërë presion Hamasit të përgjigjet brenda dy ditësh, megjithatë Hamasi këmbëngul se nuk është i detyruar të respektojë një afat kohor.
Flota Humanitare ndërkombëtare "Global Sumud" me në bord aktivistë propalestinezë, ndodhet shumë pranë kufirit ku Izraeli ka vendosur bllokadën detare të paligjshme. Nga anijet e Flotiljes shpjegohet se "rreth 120 milje detare larg Gazës, konvoji humanitar do të shoqërohet nga ekspertë ndërkombëtarë në fushën ligjore dhe detare". Ndërkohë, një anije e Marinës izraelite është nisur pak më parë nga porti i Ashdodit. Ajo mund të arrijë në zonën kritike dhe të ndeshet me Flotiljen rreth orës 15:00 të ditës së sotme.
Sakaq, natën e kaluar, anije luftarake izraelite kryen manovra të rrezikshme dhe frikësuese kundër anijeve Alma dhe Sirius të flotiljes. Anijet luftarake ndërprenë komunikimet, rrethuan në mënyrë agresive mjetet civile dhe detyruan kapitenët të kryenin manovra të befta shmangëse për të evituar përplasjen. Këto veprime armiqësore, shtojnë ata, "kanë vënë në rrezik serioz civilë të paarmatosur nga më shumë se 40 vende të botës". Pavarësisht këtyre agresioneve të pamatura, Flotilja mbetet e palëkundur dhe vazhdon rrugën me vendosmëri. Duke transportuar ushqime dhe ilaçe urgjentisht të nevojshme, pjesëmarrësit theksojnë se janë vullnetarë humanitarë paqësorë që lundrojnë në ujëra ndërkombëtare për të sfiduar bllokadën e paligjshme të Gazës nga Izraeli dhe për të dërguar ndihma për një popullsi që po përballet me uri dhe gjenocid.
Komente
