Të paktën 21 persona janë vrarë gjatë një sulmi në një hotel në Somali, e shumë të tjerë janë plagosur. Forcat e sigurisë në Somali bënë me dije dhanë fund të dielën sulmit vdekjeprurës.
Forcave somaleze iu deshën më shumë se 30 orë për të neutralizuar luftëtarët që sulmuan të premtën hotelin Hayat në kryeqytetin Mogadishu në një sulm me armë që filloi me shpërthime të forta. Sipas autoriteteve policore luftimet përfunduan rreth mesnatës së të shtunës.
Policia ende nuk ka dhënë një shpjegim të detajuar se si ndodhi sulmi. Mbetet e paqartë se sa persona të armatosur hynë në hotel, ndërsa mediat lokale raportuan se sulmi u parapri nga të paktën dy shpërthime në hyrje të hotelit. Sipas autoriteteve shëndetësore dhjetëra persona po trajtohen për lëndime në spitalet lokale, ku disa prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Grupi ekstremist islamik al-Shabab, i cili ka lidhje me al-Kaedën, mori përgjegjësinë për sulmin, në përpjekjet më të fundit për të goditur vendet e vizituara nga zyrtarët qeveritarë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e dënoi sulmin, sipas deklaratës së një zëdhënësi që tha se OKB-ja mbështet popullin e Somalisë "në luftën e tyre kundër terrorizmit dhe marshimin e tyre drejt paqes".