Pa pastruar politikën 30 vjeçare të tranzicionit shqiptar, nuk do të ketë paqe në Shqipërisë dhe kjo e fundit me kujton situatën italiane pas viteve '80 që kulmuan më vonë me Maksi Procesin! Po bëjmë një gabim të madh, sepse situata aktuale në Shqipëri po nënvlerësohet edhe nga heshtja e shoqërisë civile! Nëse Italia në atë kohë nuk kishte një precedent, Shqipëria tashmë ka për fat të keq pikërisht precedentin italian! Kushdo që hesht përballë situatës sureale të krijuar në Shqipëri, po hesht për të ardhmen e Shqipërisë e të shqiptarëve! Ngjarjet e vazhdueshme në Shqipëri të prodhuara nga një tranzicion i tejzgjatur, nga bomi i ndërtimeve dhe zhvillimeve urbane të pa kontrolluara, nga eksperienca e pakët që kishin e kanë shqiptarët për konceptimin e funksionimit të tregut të lirë, pronës dhe të kapitalizmit të egër, janë sinjale që nuk parashikojnë ngjarje të mira për fat të keq në Shqipërinë tonë! Nuk ka mafie pa pushtet e nuk ka pushtet që nuk është i magjepsur pas parasë e historia ka dëshmuar se kur të dy elementë bien në dashuri me paranë, atëherë pasojat dihen e Shteti rrezikon të humb kredibilitetin e po ashtu institucionet të dobësohen në misionin e tyre për të garantuar rendin kushtetues e po ashtu për të garantuar sigurinë individuale e sociale!
Politika 30 vjeçare e tranzicionit, në sistemin tashmë të instaluar politik në Shqipëri, nuk luftohet vetëm përmes votës së lirë, sepse vullneti i shqiptarëve nuk është i lirë në ushtrimin e vullnetit e po ashtu as alternativat e shëndosha nuk ekzistojnë për ta bërë të mundur! Politika shqiptare e tranzicionit, bashkë me ligjësitë e veset e saj, luftohet përmes mekanizmave ligjore e përmes një reagimi të fortë shoqëror që refuzon fenomenet e kapjes të shtetit, korrupsionit dhe të vendosjes së shtetit në funksione të paqartësisë dhe të mungesës së transparencës e jo në shërbim të publikes!