Në qytetet ruse që strehojnë industri ose baza ushtarake strategjike, telefonat celularë ndalojnë së punuari në muzg dhe mbeten të shkëputur deri vonë në mëngjes. Kjo masë paraprake u vendos nga autoritetet për të penguar sulmet me dronë ukrainas, të cilët shfrytëzojnë antenat e telefonave për të gjetur rrugën, por që e bën të prekshme realitetin e luftës për të gjithë popullsinë. Kur inkursionet godasin shënjestrën, propaganda e Kremlinit nuk arrin t’i fshehë: në shënjestër janë kryesisht impiantet e naftës, prej të cilëve ngrihen tym e flakë. Rafineria e Novoshakhtinsk digjet që prej së mërkurës dhe dje u godit nyja e pompimit të gazit në portin e Ust-Luga, në jug të Shën Petersburgut.
Çdo ditë sulmet ukrainase bëhen më të fuqishme, aq sa i kanë shtyrë autoritetet e administratës Trump të frikësohen se mund të shpërthejnë edhe rrugën e brishtë të paqes të nisur me samitin e Anchorage. Sipas ëall Street Journal, që nga pranvera Pentagoni ka vendosur veton për përdorimin përtej kufirit të armëve me rreze të gjatë të dorëzuara nga SHBA. Përveç ndalimit të përdorimit të raketave Atacms, të cilat nuk kalojnë treqind kilometra largësi, komandat amerikane thuhet se kanë mbajtur sekret edhe informacionin e inteligjencës së nevojshëm për të planifikuar drejtimin e raketave evropiane Storm Shadoë. Këto janë kufizime të vendosura që vite më parë dhe të pritura me irritim në Kiev, duke dhënë përshtypjen se SHBA nuk donin të lejonin fitoren ukrainase, por vetëm të shfrytëzonin konfliktin për të lodhur ushtrinë e Moskës. Kancelaritë perëndimore, nga ana tjetër, e kanë konsideruar prioritet shmangien e rrezikut që Kremlini të shkaktonte një kundërpërgjigje bërthamore, një kërcënim i përsëritur shpesh dhe që u duk konkret në fund të tetorit 2022. Vetëm në gusht 2025 Biden, Macron dhe Starmer autorizuan lëshimet në rajonin e Kurskut për të mbështetur ofensivën ukrainase në territorin rus.
Presidenti Zelensky dje përsëriti se nuk ka konsultime me Uashingtonin mbi sulmet dhe se misionet mbi Rusinë kryhen ekskluzivisht me armë të prodhimit vendas. Prej tre vitesh fabrikat prodhojnë dronë që fluturojnë mbi një mijë kilometra, duke përditësuar pajisjet e navigimit të pajisura me inteligjencë artificiale, dhe kanë patentuar modele më të avancuara se ato të NATO-s. Ata janë kujdesur gjithashtu të bëhen të pavarur nga shërbimet perëndimore, duke ndërtuar mjete zbulimi pa pilot dhe duke blerë imazhe satelitore tregtare. Fushata kundër sektorit energjetik rus rifilloi në fillim të gushtit dhe nuk u ndërpre as nga samiti në Alaska: pas takimit mes Trump dhe Putin u goditën impiantet e Syzranit, Saratovit, Novoshakhtinsk dhe më në fund Ust-Luga. Shkatërrimi i stacionit të pompimit të Unecha ishte ai që pati pasoja më të mëdha diplomatike, pasi furnizon me naftë Hungarinë dhe Sllovakinë.
Të gjithë vëzhguesit kanë vënë re se dronët ukrainas po tregohen më të saktë e shkatërrues: dëmet kërkojnë riparime të gjata, me pasoja mbi shpërndarjen e karburantit; në disa zona të Krimesë nafta nuk është e disponueshme. Objektivi i drejtpërdrejtë i Kievit është i qartë: minimi i burimit që ushqen makinerinë luftarake të Putinit. Shtimi i sulmeve ka edhe një qëllim diplomatik: ta shtyjë Kremlinin të pranojë një armëpushim, siç ka kërkuar disa herë Zelensky dhe partnerët evropianë. Por është një strategji me rrezik të lartë, që mund të nxisë zemërimin e Carit ose të shkaktojë incidente katastrofike. Të shtunën një bombë fluturuese ra brenda perimetrit të centralit bërthamor të Kurskut: sipas burimeve të Moskës, ende pa konfirmime neutrale, zjarri çaktivizoi një gjenerator energjie duke detyruar që i vetmi reaktor aktiv të përgjysmohej./La Repubblica
Komente
