Operacioni 'Shpirti'/ GJKKO jep dënimet për 8 anëtarët e grupit të përfshirë në skemën e trafikut ndëkombëtar të drogës, 11 vite e 4 muaj burg për kreun e bandës (EMRAT)

9 Shkurt 2023, 15:46| Përditesimi: 9 Shkurt 2023, 18:59

  • Share

Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimet për 8 prej anëtarëve të operacionit të koduar “Shpirti” që goditi grupin e përfshirë në skemën e trafikut ndërkombëtar të kanabisit. Ilirjan Duçellari, kreu u grupit është dënuar me 17 vite heqje lirie, e konvertuar në 11 vite e 4 muaj. Aurel Kalari, Kleo Bregu, Orhan Duçellari, Julian Bejdollari, Rexhino Muça janë dënuar me 13 vjet burg, të konvertuara në 8 vite e 8 muaj burg.

Ndërsa Alban Koshi u dënua me 12 vjet burgim i konvertuar në 8 vjet heqje lirie dhe Mariglen Duçellari me 5 vite burg, që iu konvertua në 3 vite e 4 muaj. Këto janë vendime të shkallës së parë dhe pritet që të apelohen.

Në dosjen e megaoperacionit “Shpirti” që u zbardh nga Shqiptarja.com dhe Report Tv zbulohet roli i Ilirjan Ducellari (alias Zaimi) si kreu i bandës që kishte plantacione gjigante kultivimi hashashi në zonën e Skraparit dhe bënte të mundur trafikimin drejt Italisë. Ndërsa Rexhino Muça rezulton si pjesë e grupit të Ilirjan Duçellarit që në nëntor të vitit 2015 dështoi në transportimin e 800 kg kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Nisja e lëndës narkotike u bë nga Divjaka, nga Piro Bregu, Elton Hamza, Rexhino Muça e Robert Muftari, por gjatë udhëtimit të parë u prishën motorët, skafi u mbush me ujë, kështu u detyruan të kthehen në Shqipëri.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe u dërgua për gjykim dosja e operacionit “Shpirti”, me 31 të pandehur që akuzohen për trafikim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Mes tyre janë edhe pesë funksionarë publik, duke filluar nga prokurori i Vlorës, Maksim Sota dhe Ilirjan Balla, ish-shef i trafiqeve në Policinë e Shtetit, Artur Krasniqi, Festim Lelaj funksionarë shtetërorë  të gjithë të akuzuar për shpërdorim detyre. Mes të dërguarve për gjykim janë edhe dy truprojat e ish ministrit Saimir Tahiri, Paul (Agustin) Deda dhe Hekuran Marku,  njëri i arrestuar në Francë dhe tjetri në Gjermani. Të dy janë të dyshuar si i përfshirë në 'skemën' e trafikut ndërkombëtar të kanabisit që grupi kriminal i drejtuar nga Ilirjan Duçellari.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?