Sarandë

Të pikturosh një ëndërr: Letër kryeministrit Edi Rama nga Saranda!

6 Gusht 2023, 21:51| Përditesimi: 6 Gusht 2023, 21:52

  • Share

Teksa mendoja për turizmin në Sarandë, ulur në taracën e bar-kafesë së njohur RIVIERA, ide dhe mendime ecejakeshin kokës sime, krijonin një farë “rrëmuje të bukur” në tru, përherë brenda një ngazëllimi që më jepte qyteti, shëtitorja e tij e mbushur plot e përplot me mijëra e mijëra turistë të moshave të reja nga gjithë vendet e Evropës dhe botës, një Babilon i vogël ku dëgjon pak shqip dhe dhjetëra gjuhë të huaja nga India në Amerikë. Anijet që shëtisin hapësirës së gjirit të detit krijonin imazhe impresioniste. Dhe muzikë, si në një festë, koncerte dhe performanca të improvizuara. Gjithandej hare, dum-dum e bam-bum…

Por… dua t’i iki “bulevardeve” e vezullimeve entuziazte, ato kanë sy vetë. Imazhet televizive ta bëjnë çdo gjë lule. Dua të hyj në ca bodrume dhe “llagëme” të pista të mangësive, që sjellin mërzi e inate, ku e keqja të përplaset fytyrës si dackë e fortë. Një nga këto “llagëme” është parkingu. Të parkosh në Sarandë këto ditë gushti është një tmerr. Mirëpo tmerrin ose duhet ta shohësh në sy që ta kuptosh, pra dhe ta shmangësh, ose të mbyllësh sytë, t’ia mbathësh, pra ta lësh të zgjatet e të zgjatet… Rrotullohem e rrotullohem me makinë qytetit, hipi lart e zbres poshtë në të pesë rrugët e tij paralele, kërkoj diku një qoshe, një zgrip (a rrip) vendi që të parkoj. Bah! Je në terezi? Kokërr vendi nuk gjen dot. Asgjëkund. Të jesh i lumtur të sajosh një vend dosido diku rrugëve të epërme a rrugicave në thellësi. Ose po do, hip në trotuare. Por, ama, kur të kthehesh nga shëtitja a baret e qejfit, shih mirë aty te xhami, ke një gjobë 30 mijë lekëshe. Epo ku ta çosh makinën atëherë? “Një kalë, një kalë”, bërtiste Rikardi III në tragjedinë homonime të Shekspirit. “Një vend parkimi, njëckë të vetëm, amani-dermani!”, klithin e luten dhjetëra e qindëra shoferë, që kanë ardhur me makinat dhe familjet e tyre në Sarandë për ca ditë plazh e pushime…

Dua të dalë bregut, të shkojë me makinë drejt zgjatimit të qytetit përkah fshati Çukë, të ulem diku në një kafe dhe të shoh qytetin, të qetësoj syrin, të mahnitem, ose të ha një darkë diku nëpër bar-restorantet e shumtë, po ku ta gjejë një copë vend, ku?! Shoferët bëhen nervozë, u bien borive, bllokojnë rrugët, parkojnë dyshe, treshe. Hapësira është tejet e ngushtë, të merret fryma. E pra, PARKINGU është bërë sot një gangrenë. Një kusht i patjetërsueshëm i përballimit të flukseve turistike në rritje. Pikërisht në këtë fluks të madh turistik që përjeton këtë vit Saranda, problemi del krejt-krejt i zbuluar. Këlthitës. Ulëritës. Pa parking, ti ia ke ngulur thikën mu në shpinë turizmit. Pushteti gjendet para një emergjence: ose të japë sa më shpejt zgjidhje racionale, të guximshme e fatlume, ose fluksi turistik me siguri vitin tjetër do të bjerë; pra dhe paratë në xhepin e sarandiotëve, që jetojnë me këto të ardhura, do të pakësohen. Nuk duhet assesi t’i humbim shanset. Shqipëria vend i vogël është vërtet, qesja sa një “kokërr hudhër” thotë bejtja e qëmoçme, por dhe aq sa është ata që e administrojnë paranë duhet të dinë ku ta çojnë, të kenë instinkt, të ndjejnë tregun.

Nëse keni dëgjim të dobët ose zhurmë në veshët tuaj, mos i lini asgjë rastësisë por veproni në mënyrë parandaluese. Ekspertët rekomandojnë ta pini dy herë në ditë

Ç’mund të bëhet? Pallatet e ndërtuara, ca nga lakmia e fitimit, ca nga mungesa e shtetit, ca nga orgjia urbane dhe verbëria e projektimeve dje, nuk kanë sot në katet e tyre përdhese parkinge. Lumnaja e makinave të merr frymën. U bë ç’u bë. Nuk mund të qahet më e djeshmja, fjala është se ç’duhet bërë sot. Sot! Kryetari aktual i bashkisë, Oltion Çaçi, dhe ekipi i tij mos të resht asnjë sekondë t’i kërkojë me ngulm e përulesi qeverisë dhe të madhit të saj, z. Rama, mbështetje financiare, marrjen përsipër të projekteve çliruese. Lipset vizion për ardhmëritë e pritshme. Kohë nuk ka fare. Po fare, ama. Jo një herë, por njëqind herë, gjer në bezdi, duhet trokitur fort në dyert e atyre që kanë në dorë buxhetet, influencat, zyrat e projektimit dhe miratimit, tribunat institucionale: qeveria, kryeministria, parlamenti, lobingu pro-sarandit, biznesi i madh.

Unë urbanist nuk jam, por po marr hua mendjen e një mikut tim të hershëm. Ose duhet bërë një parking i nëndheshëm tre katësh, ta zëmë te lulishtja qendrore ku është shatrivani, ndofta e përfshirë edhe qendra e qytetit, ose një zgjidhje alternative me godina-parking. Mbase mund të bëhet edhe një rikonstruktim i godinës 15 katshe, guxoj dhe i them unë mikut tim urbanist, e cila është një nga shëmtitë e pamerituara që politika dhe biznesi la si çiban mbi shpinë qytetit. Ai tund kokën me mosbesim. E çfarë s’mund të bëhet sot, mjaft që vullnet dhe para të kesh, këmbëngul unë. Në Gjermani, në Visbaden a Frankfurt, në Berlin a Shtutgard ku kam qenë, e kam parkuar makinën në godina shumëkatëshe me funksionet e parkingut. Në Shqipëri nuk kemi asnjë godinë me destinacion të tillë. Pse? Ndofta Saranda, e ngjeshur siç është bërë, pa sheshe e hapësira të lira, me godinat hipur njëra mbi tjetrën, e vuan më shumë se çdo qytet tjetër parkimin, ndaj dhe duhet menduar për një, dy a tre godina të reja si parking? Nëse diçka duhet prishur, për interesin publik kjo duhet bërë urgjentisht.

Po të më jepnin rolin e një urbanisti, arkitekti a konstruktori, i shpjegoja unë mikut tim urbanist, unë do të piketoja disa hapësira për ndërtime kësisoj. Ish fabrika e miellit në Plazhin e Ri është një vend ideal, por dhe hapësira tek ish Vila qeveritare. Ah, po të kisha një shkop magjik, një “Abra-Kadabra” në qeveri, atë shëmti të qytetit tim – ngrehinën 18 kateshe kaba mu në zemër të tij – ose do ta rrafshoja, ose mund ta ktheja në një referencë hijeshie, bukurie dhe impozance, duke e shndërruar në godinë-parking, pse jo! Nga diç të keqe, mund ta bëja diç të mirë. Le të më turen inxhinjerët konstruktorë se s’bëhet, se duhen aq e kaq ton hekur, beton etj., por unë do t’i ftoja në një tavolinë pune për të dhënë zgjidhje racionale. E çfarë s’mund të bëhet sot?! Mirëpo unë s’e kam atë shkop magjik, as atë formulë. Dy njerëz të pushtetshem dikur, Fatos Nano dhe Sali Berisha, çdo fushatë elektorale, sa herë vinin në Sarandë, premtonin se do ta rrëzonin “balozin” përdhe, se do t’ia prisnin këmbë e kokë, se do ta shkurtonin aq e kaq kate dhe se do t’i sillnin qytetit dhe qytetarëve hapësirën e grabitur, bukurinë. Qenë të gjithë dokrra. A mund ta bëjë Edi Rama këtë gjë me gjithë atë pushtet që ka sot? Them se e bën, nëse do, siç bëri shëtitoren e re, që i dha frymë e hijeshi Sarandës. Është një vepër që mbetet dhe unë i pari e kam duartrokitur. Të shembësh diç të shëmtuar dhe të ndërtosh diçka të bukur mepatjetër që dhemb, janë kosto etj. Por vjen koha që plaga duhet shëruar. I dhënë shëndet dhe hijeshi qytetit përmjet kirurgjive të domosdoshme urbane.

Unë nuk jam deputet, as një partiak a militant. Por duke e dashur me shpirt qytetin tim dhe duke vënë re se si ai merr dritë nga viti në vit, jo me “krenari” boshe, por me përulësi dua t’i drejtohem qeverisë, a më troç akoma, kryeministrit të vendit tim, zotit Edi Rama.

I nderuar zoti Kryeministër! Ju jeni një artist, njeri i imazhit, unë jam një njeri i letrave. Kam bredhur në gjithë qytetet e Shqipërisë, nga Tamara në Konsipol, dhe kam parë gjithkund se si imazhi urban i një Shqipërie të re e moderne, ku ju keni vënë, padyshim, një gur themeli, po rritet e po rritet. Janë kuruar e zgjeruar hapësirat dhe janë krijuar horizonte gjithnjë e më fatlume. Unë gëzohem për vendim tim, nuk jam natyrë që veç shaj e nxij. Asgjë s’është e përsosur në këtë botë! Por të bukurës duhet t’i themi e bukur. Ju jeni kryeministri i vendit për disa mandate, por jeni, ama, dhe deputeti i Vlorës. Vlora sot është bërë tejet e bukur: projekte sheshesh të reja, pedonalesh, godinash, rrugësh, parqesh, plazhesh, zbukurimesh e kanë kthyer atë në një fantazi. U bëfshin të gjitha qytetet kështu si Vlora, ku ju keni pasur dhe keni edhe një detyrim tashmë politik si deputet i saj. Por mua zemra më pikon për Sarandën. Falë jush u bë shëtitorja e re e saj dhe unë e shoh se sa gëzim, sa hare, sa kënaqësi e sa lumturi u ka dhënë njerëzve ajo!

Sikur e zbuti, madje, edhe brutalitetin e kryeneçësinë e godinave të larta bri saj, krijoi një amfiteatër ujor të mrekullueshëm ku njerëzit ulen, thithin freskun e mbrëmjes, bisedojnë me detin. Bukur! Por qyteti im ka dhe një problem të madh, që kërkon një dorë të fortë e një bisturi të saktë. Them se veç ju mund ta bëni këtë! Jo thjesht se jeni kryeministër dhe keni pushtet gati absolut e respekt në partinë tuaj, por sepse keni imazh më së pari, keni vizion, keni shije. Ju e doni të bukurën. Mos e lini që ajo të shëmtohet! Sarandës i duhet një parking, i cili zgjidh trafikun e saj të çmendur; makinat nuk do të kreshpërohen rrugëve, nuk do të zënë dhe ato pak hapësira të vogla diku, por do të futen në foletë e tyre. Pa e kompromentuar figurën time, sepse s’kam pikë interesi ndaj qeverisë, ndaj jush dhe ndaj çdo karriere a pekuleje qeveritare, unë do t’ju kërkoja që këtë problem ta merrnit vetë ju në dorë. Dhe Saranda do t’ju duartrokiste për herë të dytë pas shëtitores. Njerëzit kanë kujtesë dhe është përkëdheli e madhe të mbahesh mend.

Saranda është reliev i pjerrët malor, një strukturë shkëmbore solide, dhe pra mund të bëhen disa parkinge në formë tunelesh me xhepa a ngrehinash në pika të ndryshme të saj, pa kërkuar hapësira të lira, të cilat, për dreq, mungojnë. Po kush mund t’i bëjë, bashkia? Aha, ajo s’ka as takat, as autoritet ekzekutiv, i mungojnë financat, do këllqe kjo punë. Unë mendoj se i takon qeverisë që të shqetesohet seriozisht për zgjidhjen e këtij problemi urgjent. Turizmi në Sarandë prodhon para, begati, zhvillim, po bëhet tejet aktiv; duhet vlerësuar pra si një premisë ekonomike parësore për qytetin. Para se të bëhen ca fshatra e resorte të tjera turistike, në zhvillimin e kësaj zone duhet zgjidhur mepatjetër parkimi i makinave, që është shndërruar në një tmerr dhe me siguri nesër do të kthehet në një bumerang. Nuk besoj se Vlora, që po bëhet magjike falë projekteve inovative dhe sedrës suaj të mirë si deputet i atij qyteti, nxjerr më shumë para sesa Saranda dhe Ksamili nga turizmi?! Jo!…

Por Saranda s’ka lobing deputetësh të hajrit. Kush ka qenë aty, ose ka fjetur gjumë, ose ka parë interesat e biznesit të vet e ndonjë allishverish që del tutje-tëhu, ose ka qenë pa personalitet, pse jo dhe një servil a karrierist. Shkurt, çikërrimtarë. Përherë ka munguar deputeti a qeveritari idealist e pasionant, që qytetin e ka dashuri, jetë, qëllim.  Ka munguar, pra, ai zë që të kishte peshë në tryezat politike. Kjo mungesë lobingu për Sarandën, për mua është një skandal, sikurse nga ana tjetër, është edhe njëanshmëri e Partisë Socialiste, e cila, më duhet ta them troç, e kanë shpërfillur elementin vendas me rrënjë në këtë qytet të butë. Nëse do të bëja një digresion në këta 33 vjet pluralizëm, përfaqësimi politik i Sarandës nuk ka ardhur nga ata që kanë brezni në qytet, por nga ata që janë pjesë e rastësishme e saj, ca të katapultuar, ca të “emëruar” e ca të tjerë të ardhur nga rrethet nepotike. Asnjëherë nuk duhet harruar se Saranda ka qenë një depozitë votash për të majtën. Veçse ata që shalojnë kalin e pushtetit duhet të kenë dinjitetin të kërkojnë gjera të mëdha e serioze për atë. Ka ardhur koha që të kërkohet vëmendje më e madhe qeveritare për këtë qytet, pse jo të bekuar, zoti kryeministër. Duhen njerëz që mos t’ua bëjë syri tër për t’i mbrojtur interesat e tij, pa u mpakur e zvetënuar në asnjë moment nga shpirtrat servilë për dy pekule…

Jemi vdekëtarë në këtë jetë, andaj dhe e mira urbane mbetet, breznitë dinë të kujtojnë, dinë të nderojnë. Uroj e shpresoj që të mendoni për një zgjidhje radikale, pa i lënë policët të lodhen duke u fryrë bilbilave orë e çast në këtë tollovi makinash pa fund.

Ja, këto fjalë doja t’ju thoshja zoti kryeministër. Dhe teksa po jua shkruaja ato në fushën e celularit, si për habi vura re se ora shënonte 00. Mesnatë. Fillonte një ditë e re. Ndoshta një shpresë e re. Një ogur i mirë. Ja që edhe besëtytnitë janë pjesë e ezoterizmit të mendjes. Zakonisht kthehem në shtëpi diku te ora një e natës ose edhe pas saj. Fryn një fllad, fantazmagoria e qytetit sikur të molis, ndërsa shëtitorja s’pushon nga mijëra e mijëra hapa njerëzish që shijojnë natën. E ku i mendonim dot njëherë këto gjëra?! Diku pas orës dy e tre të natës shëtitorja lëshon frymën e saj të fundit, mbeten vetëm çifte të rinj dhe puthjet e tyre… Një mesnatë që më shijon fort. Dua ta përtyp me nge, në qejfin tim, sikur të ishte një çokollatë. A një tekst poetik, ku ekstaza dhe profania e errësirës së thyer nga dritat dhe ngjyrat të shkrin me qiejt dhe yjet lart. Është kjo ekstazë mbrëmësore që ma zgjon mendjen dhe mendja shkon, për dreq, te parkingu. Duhet një shpatë që t’i bjerë në mes nyjes godriane, por si, kush?! Ndaj dhe jua shkrova këtë letër, zoti Rama. Eh!…

Gjithë ky afsh letrar nuk është si mesnata e Shekspirit te “Ëndrra e një nate vere” (Midnight summer dream), por si “ëndrra” ime, ëndrra e një njeriu prej këtij qyteti, ku kam lindur dhe ku dua të vdes, si ëndrra e mijëra sarandiotëve të tjerë, të urtë e të mirë, kudo që janë, për ta parë qytetin e tyre pikërisht si kjo. Pra, si një ëndërr. Shiheni edhe ju zoti Rama qytetin tim si një “ëndërr nate vere” shekspiriane. Mbase është qyteti më i bukur i Shqipërisë. Ia vlen që edhe ju, si shqiptar e si kryeministër, ca më shumë edhe si artist e piktor, tok me ne dhe qindramijërat e shqiptarëve të tjerë dhe turistëve nga mbarë bota, ta “pikturonim” dhe ta shijonim ca më bukur e ca më shumë këtë ËNDERR?…

 

 

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergj: 07/08/2023 11:02

    Pa filluar sezoni veror, nga java e tretè e majit isha nè Sarandè. Lokalet dhe restorantet, baret dhe piceritè, bènin punimet e nevojshme pèr tè qènè tè pèrgatitur pèr fillimin e sezonit. Shètitorja e re dhe restorantet nè qendèr me vizitorèt dhe klientèt e shumtè, sikur tè thonin se sezoni ka filluar. Ajo qè tè binte nè sy dhe dukej sikur po mbyste gjithçka nè qytet, ishin rrugèt e ngushta tè tij, mbushur nè tè dyja anèt me makina tè parkuara. Aty ku nuk parkonin makinat,,,kishin parkuar autobuzèt me gjatèsinè e trenave,,tè ardhur nga Greqia, Serbia, Maqedonia. Saranda, èshtè buzè kolapsit dhe infarktit rrugor. Zhvillimi i shpejtè i turizmit nè qytet, solli jo vetèm anèt pozitive tè turizmit pèr vendasit por edhe problemet e qarkullimit, qè nèse nuk merren seriozisht dhe gjèndet zgjidhje,,mund tè kthehen nè gurè mulliri nè qafèn e qytetit. Problemet janè aty, pèr tu zgjidhur, thotè shefi im. Saranda, ka njè problem tè madh. Mblidhni njerèzit e duhur dhe pèrpiloni njè plan strategjik, sa mè shpejt,,nèse nuk doni qè gjithçka tè pèrfundojè nè kaos dhe rrumpallè. Pèr njè zgjidhje tè qèndrueshme, duhet tè jenè tè interesua tè gjithè,,,komuniteti, sipèrmarrèsit dhe vizitorèt.!!!

    Përgjigju
  • Ritu: 07/08/2023 09:27

    Dil më këmbë ose me bicikletë. Jo me makinë, se s'ka parkim për të gjithë.

    Përgjigju
  • Ali: 07/08/2023 05:06

    Mire e ke shkruar ti por kujt ja ke shkruar! Njesoj si melcite ujkut. Po ku do tja dije ay per parking apo terrci e verrci. Ai ka hall te ndaje dhe zhvase gjithe bregun, madje deri lart ne mal, me ullishta e pyje. Ti thua parking. Godina-parking! Do behen edhe ato por po presin sa te kthehet Zoto dhe Mertiri se ata ia dine anen puneve me Ramen dhe Veliajn. Kur vite me pare disa kerkuan leje per te ndertuar godina parking ne Tirane, jo vetem qe surrat lali as ua fershelleu po vrap e vrap dha lejet per parkime nentoksore sa frengu pulen. Rama thote, kokrra hajdutit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?