Të prekurit nga tërmeti, Tatimet: Dokumentet që duhen për të përfituar lehtësi fiskale

4 Mars 2020, 17:18| Përditesimi: 4 Mars 2020, 17:29

  • Share

Çdo tatimpagues që është prekur nga tërmeti i 26 nëntorit ku bizneset e tyre janë dëmtuar apo shkatërruar  dhe ndodhen në zonat e prekura nga fatkeqësia natyrore përfiton ulje të detyrimeve fiskale . për këtë ato duhet të regjistrohen në Drejtorinë  e Tatimeve me dokumentacionin përkatës, ku kërkohet lista me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara apo shkatërruara, faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara  dhe raporti nga organi kompetent përkatës për shkatërrimin e aktiveve afatgjata.

Njoftimi i Drejtorisë së Tatimeve 

Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit e prekur nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019 se, mbështetur në udhëzimin Nr.5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, si dhe në udhëzimin Nr. 32, datë 31.12.2013 “Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël”, i ndryshuar, do t'i njihen si të zbritshme shpenzimet për dëmet nga tërmeti.

Për të përfituar nga këto lehtësi fiskale, tatimpaguesit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore,

-Listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara apo shkatërruara, përfshirë sasinë për çdo lloj;

-Faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara;

-Raportin nga organi kompetent përkatës për shkatërrimin e aktiveve afatgjata.

Konkretisht do të njihen si shpenzime të zdritshme vlera kontabël e mallrave si dhe vlera kontabël e mbetur e aktiveve, që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”.

Të gjithë tatimpaguesit e prekur nga tërmeti, janë të lutur që brenda datës 10.03.2020, të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar dokumentacionin si më sipër.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?