Një ditë pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi 12 shtatorin si datën e mbledhjes së parlamentit të ri të legjislaturës së XI, Kuvendi i ka kërkuar KQZ-së që t’i bërë në dispozicion emrat e deputetëve për verifikimin e mandateve në funksion të seancës së të premtes, që pritet të mblidhet në orën 10:00.
“Në përmbushje të detyrës së Kuvendit të Shqipërisë për verifikimin e mandateve të deputetëve shpallur të zgjedhur me vendimin nr/34, datë 28.8.2025 “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 11 maj 2025”, kërkojmë nga ana juaj, në respektim të nenit 69 të Kushtetutës, dokumentacionin e depozituar pranë institucionit tuaj për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e datës 11 maj 2025”, thuhet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit drejtuar KQZ-së.
Një ditë më parë, presidenti njoftoi datën e mbledhjes së parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Ai përcolli edhe një mesazh, teksa u kërkoi deputetëve që të përmbushin angazhimet e tyre. Një ditë para mbledhjes së Kuvendit, më 11 shtator do të mblidhet Asambleja e PS, ku do të prezantohet edhe qeveria e re Rama 4.
Më 11 maj, PS fitoi 83 mandate, Partia Demokratike dhe aleatët e saj 50 vende deputetësh, PSD 3 mandate, Mundësia 2 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat.
Komente
