Është koha për të shtegtuar. Joni, Ledi dhe Klejni janë ndër vizitorët më të përhershëm të Lagunës së Nartës. Ata vëzhgojnë jetën e specieve të shpendëve që kanë zgjedhur këtë zonë të Shqipërisë si banesë të përkohshme apo të përhershme.
“Unë kam nisur punën me ruajtjen e natyrës tek organizata PPNEA para 5 vitesh. Ishte interesante sepse unë gjithmonë kam qenë i lidhur me natyrën, isha nga ana tjetër e ekranit në televizor më së shumti, me dokumentarët që shikonim kur ishim më të vegjël dhe doja thjesht të vullnetarizoja. Ndoshta në fillim fokusin e kisha në gjëra të tjera, doja të vullnetarizoja në ruajtjen e mjedisit, më pas interesi erdhi në shtim dhe u profilizova në ruajtjen e natyrës dhe më pas në ruajtjen e shpendëve"- tregon Joni Vorpsi, studiues i shpendëve prej 5 vitesh pranë PPNEA.
Ndërsa Ledi Selgjekaj, një tjetër e re që studion shpendët prej dy vitesh pranë organizatës PPNEA shprehet:
"Jam angazhuar për ruajtjen e natyrës rreth dy vite më parë dhe jam angazhuar me organizatën PPNEA. Unë që kur fillova të studioja kuptova që më pëlqen pjesa e natyrës dhe pjesa mjedisore, por sidomos më ka tërhequr pjesa e problematikave me të cilat po përballet së fundi mjedisi dhe natyra. Për këtë arsye, dëshira për të zgjidhur këto probleme, për të mbrojtur natyrën apo llojet e rrezikuara më ka bërë që të vazhdoj në këtë drejtim"
Të rinjtë studiues të Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) tregojnë se e kanë zgjedhur Laguna e Nartës pasi ajo njihet si ligatinat më të mëdha dhe më të rëndësishme bregdetare të Shqipërisë për shkak të biodiversitetit të saj të mahnitshëm.
E vendosur në skajin jugor të Ultësirës bregdetare, në afërsi të qytetit te Vlorës, kjo zonë me një sipërfaqe te përgjithshme 41.8km2 vizitohet nga shpendë që vijnë nga e gjithë bota.
"Gjatë punës tonë në terren, ne ndalojmë kudo ku ka prezencë të llojeve të ndryshme të shpendëve dhe kështu monitorojmë dhe numërojmë llojet e pranishme. Marrim shënime për të gjitha speciet që janë." – tregon studiuesi Joni Vorpsi.
"Konkretisht në zonën e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë kemi bërë monitorime të vazhdueshme për sa i përket avifaunës. Kemi vlerësuar rreth 200 lloje shpendësh të pranishëm në zonë. Kemi bërë monitorime të shpendëve folezues në zonë, monitorime gjatë periudhës së shtegtimit, kemi qenë pjesë e censusit të dimrit ku kemi numëruar shpendët dimërues të cilët vijnë në vendin tonë. Gjithashtu kemi bërë më në detaje dhe më specifikisht numërime të llojeve të ndryshme ,siç është censusi i flamingos, censusi i pelikanit apo edhe numërim të llojeve të ndryshme të shpendëve ujorë siç janë baltakët"- sqaron studiuesja Ledi Selgjekaj.
Ka shpendë shtegtarë që rikthehen përsëri, por ka edhe nga ata që folenë e tyre e ndërtojnë në Shqipëri dhe kujdesen për të gjatë gjithë vitit.
"Për shembull kemi rastin e flamingos, i cili është shpend që ndodhet gjatë gjithë vitit në vendin tonë, por gjithashtu përmendim edhe rastin e pelikanit kaçurrel i cili gjendet gjatë gjithë vitit pothuajse në çdo ligatinë të vendit tonë." –shprehet studiuesja Ledi Selgjekaj.
"Ndërkohë që llojet e tjera janë shtegtare dhe largohen duke shkuar drejt jugut të globit, drejt Afrikës apo vendeve të tjera. Ndërsa disa të tjera vijnë dhe kalojnë dimrin në vendin tonë."- tregon studiuesi i shpendëve Joni Vorpsi.
Flamingot janë edhe arsyeja kryesore që vizitohet Laguna e Nartës.
Këta shpendë zakonisht qëndrojnë në njërën këmbë, ndërsa tjetra futet nën trup. Ndonëse ka disa teori për këtë sjellje, arsyeja nuk është kuptuar plotësisht për balerinët në ujë.
Ky oaz i paqtë për folezimin e shumë shpendëve ka edhe specie të tjera të veçanta.
"Llojet e tjera që largohen në këtë pjesë të lagunës janë çafkat, karabullakët, rosat, pelikanët, pulëbardhat dhe nga më të veçantët që mbart dhe status ruajtje është pelikani kaçurrel i cili e përdor zonën për ushqim dhe pushim dhe folezon në zonën e Divjakë-Karavastasë."- shpreht Joni Vorpsi, studiues shpendësh, PPNEA.
"Për shembull, gjatë vitit të kaluar ku janë numëruar shpendët ujorë në rreth 30 ligatinat e Shqipërisë, në Nartë janë janë vlerësuar rreth 15 mijë individë me mbi 30 lloje në zonë"- na thotë studiuesja tjetër e shpendëve, Ledi Selgjekaj.
Vrojtuesit e shpendëve ndalen në zonën e Kripores, e para dhe e vetmja e këtij lloji në Shqipëri. Kriporet mbulojnë një sipërfaqe prej 1 472 ha. Prodhimi i kripës nisi në vitin 1958 dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. Kjo zonë është gjithashtu shumë e rëndësishme për shpendët.
"Bën pjesë në rrugën e shtegtimit Adriatiko-Lindor e cila përdoret nga shpendët për të udhëtuar nga veriu i globit në jugun e globit. Ndërkohë zona mban dhe statusin "Zonë e rëndësishme për shpendët", pra nuk është e rëndësishme vetëm në rang kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar, pasi mban një trashëgimi natyrore jo vetëm të vendit tonë por edhe të vendeve të tjera të botës. Këtu në këtë zonë kemi gjetur shpendë nga Turqia, nga arqipelagu Guinea-Bissau apo nga vende të tjera, që do të thotë se informacionet shkencore janë të shumta përsa i përket rëndësisë ndërkombëtare të kësaj zone "- Joni Vorpsi, studiues shpendësh.
Laguna e Nartës është nën mbrojtjen e administratës rajonale të zonave të mbrojtura Vlorë. Florjan Rustemi, tregon se moratorium i gjuetisë ka ndikuar në popullimin e këtyre shpendëve.
“Laguna e Nartës është zonë e mbrojtur siç e dimë dhe mbrohet e monitorohet si nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura (ADZM) por edhe në bashkëpunim me policinë e shtetit, kryesisht për gjuetinë e paligjshme, por që nuk është krijuar ndonjë problem deri tani", tha ai
Dy herë në vit, shpendët migratorë lenë Shqipërinë për të folezuar në vende të tjera. E shtuna e dytë e muajit tetor dhe ajo e muajit maj ka filluar të festohet nga viti 2006 si Dita botërore e shpendëve migratorë.
Kjo ditë ka si qëllim që të sjellë në vëmendjen e popullatës dhe të shërbejë si një ditë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e shpendëve migratorë dhe habitatet e tyre.
Organizatorë janë Sekretariati i Konventës për Ruajtjen e Specieve Migruese të Kafshëve të Egra (Konventa e Bonit) dhe Marrëveshja për Ruajtjen e Shpendëve Ujorë Shtegtar Afrikano-Euroziatik, dy marreveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e jetës së egër që administrohen nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP).
“Zogjtë migratorë na lidhin me këngët dhe fluturimet e tyre unike dhe na kujtojnë rëndësinë e të punuarit së bashku pavarësisht kufijve dhe ç’ka është është më e rëndësishme, t’i mbrojmë ato” është mesazhi që përcjell dita ndërkombëtare e shpendëve migratorë.
Këtë e nënvizon edhe studiuesja Ledi Selgjekaj:
"Shpendët kanë një rëndësi jashtëzakonisht shumë të madhe. Përveçse janë tregues të cilësisë së mjedisit, janë edhe kontrollues të popullatave të ndryshme, të llojeve të tjera në vend, duke mbajtur në balancë ekosistemin. Gjithashtu një rëndësi tjetër ka edhe pjesa që shërben si një atraksion turistik për vendin tone, duke ditur potencialin turistik që mbart Shqipëria, pikërisht kundrimi i shpendëve do të ishte një mundësi shumë e mirë në përfitimin e të ardhurave në mënyrë të qëndrueshme dhe për një kohë shumë të gjatë”
Një tjetër zonë do të përcjellë miqtë shtegtarë.Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është ndër më të mëdhenjtë në vendin tonë.Janë rreth 263 shpendë që janë vëzhguar në Lagunën e Karavastasë dhe në disa ligatina përreth saj.
"Zogjtë migratorë dhe zogjtë dimërues që zbresin nga Evropa veriore, zakonisht zgjedhin ligatinat sepse janë vende që ofrojnë më shumë ushqim. Janë gjithashtu vendpushim i mirë, përgjithësisht të qetë. Ndërsa pjesa migratore vazhdon udhëtimin drejt Afrikës."- tregon për Report Tv, Ardian Koçi, drejtori i ADZM qarku Fier.
Një pjesë qëndron në këto ligatina që është ndër më interesantet dhe më të rëndësishmet në Shqipëri.
"Dhe këtu do të përmendja atë që quhet Drenja nga vendasit, rosa e vendit që prej disa vitesh nuk folezonte në vendin tonë. Tashmë ka disa vjet që ajo po folezon këtu dhe kemi një numër të madh folesh të tyre në zona të caktuara të parkut. Kemi parë sivjet edhe folezimin e Larakut të detit, një tjetër rosë tadorna-tadorna. Shenjat e saj për folezim janë parë në jug të parkut. Prej rojeve tona është parë një tufë me rosa të vogla të cilat notonin në ujë" – tregon drejtori Ardian Koçi.
Laguna e Karavastasë ofron qetësi për shpendët migratorë dhe ata dimërues.
Midis tyre nuk mungojnë edhe shpendët grabitqarë si shqiponja, bufi apo skifteri.
"Sapo pamë një skifter në pishë” -gazetari
“Ai është skifteri më i shpejtë nga të gjithë skifterët që ekzistojnë.Është me një shpejtësi rreth 380 km në orë. Më i shpejti i llojit të vet. Vitet e fundit ka filluar frekuentimin e parkut"- tregon një peshkatar.
Ndërsa drejtori i ADZM qarku Fier sjell një tjetër rast të veçantë:
"Një nga eksperiencat më të bukura ka qenë rasti me shqiponjën e malit. Ishte një individ juvenil i Shqiponjës së Malit, i plagosur në zonën e Skraparit, të cilin ne e rikuperuam për afro një muaj e gjysëm dhe e lëshuam në zonën e Parkut kombëtar të Prespës."
Shqiponjës së malit iu vendos Sistemi për lokalizimin gjeografik, GPS.
Për afro një muaj pas lëshimit, ajo jetoi në pjesën e Greqisë dhe më pas hyri në Shqipëri. Aktualisht ndodhet në zonën e lindjes në Berat ku dhe u gjend e plagosur.
Por ky nuk është rasti i vetëm i gjurmimit të një shpendi, sipas drejtorit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta:
"Një rast tjetër ka qenë shkaba, ishte një individ i lindur në Kroaci. Gjatë migrimit drejt Afrikës humbi partnerin e vet në Liqenin e Shkodrës dhe vetë ishte në prag të ngordhjes kur u lajmëruam nga kolegët kroatë. Arritëm e rikuperuam nëpërmjet shoqatave mjedisore dhe e mbajtëm këtu rreth dy muaj derisa e lëshuam. Quhej Mokush, kishte emrin e një perëndie kroate dhe ishte e pajisur edhe me një GPS."
Në qendrën e rehabilitimit për shpendët e egra në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë, mblidhen shpendët e dëmtuar nga vendi e nga Kosova. Pasi i kurojnë i kthejnë përsëri në natyrë.
"Qëllimi ynë ky është! Jo ta kthejmë në një kopsht zoologjik, por në një qendër që të rikuperojë këto shpendë duke i kthyer më pas në natyrë. Gjatë kësaj kohe kemi rehabilituar rreth 30 shpendë të ndryshëm. Brenda kemi dy pelikanë, një lejlek që ka ardhur nga Prizreni dhe një buf të madh. Janë në prag të lëshimit dy pelikanët dhe bufi i madh. Ndërsa lejleku është i parikuperueshëm."- tregon drejtori i ADZM, qarku Fier.
Nëse flamingot janë simboli i Lagunës së Nartës, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ka Pelikanin kaçurrel. Pelikani kaçurrel është ndër shpendët më të mëdhenj të Europës, me një gjatësi trupi 160-180 cm, gjatësi të hapjes së krahëve 270-320 cm. Drejtori i administratës së zonave të mbrojtura në këtë park tregon se folezimi i pelikanit kaçurrel i ka fillesat rreth vitit 1900.
"Dokumenti i parë i ekzistencës së kësaj kolonie në zonën tonë është një libër i botuar në vitin 1908 nga një udhëtar anglez. Ai atëherë tregonte se në ishullin e pelikanit dhe në ishujt përreth tij kishin numëruar rreth 250 fole. Vazhdon ky numër në vitin 1930 nga një antropolog austriak i cili botoi edhe një libër dhe deri në vitin 1966 është raportuar pak a shumë e njëjta situatë."
Sot kolonia e pelikanëve në këtë zonë ka arritur në rreth 85 fole me vezë dhe zogj, shifra më e lartë e regjistruar në 35 vitet e fundit ose që prej vitit 1984 kur u regjistruan 81 çifte folezuese në Divjakë.
"Duket që qëndrueshmëria e kolonisë është konsoliduar. Sigurisht masat tona vazhdojnë. Ne vit për vit merremi me rregullimin e shtretërve ku pelikanët ngrenë folenë, fillojmë ruajtjen 24 orë të ishullit të pelikanit gjatë kohës së riprodhimit në fund të janarit, rregullojmë rrethimin vizual që i kemi bërë ishullit me bova dhe tabela, të cilat i tregojnë jo vetëm turistëve por edhe peshkatarëve, që nuk duhet ta kalojnë këtë zonë ,në mënyrë që të mos shkaktojnë shqetësim në foletë e pelikanit."- shprehet drejtori Ardian Koçi.
Ndër shpendët e rrallë që kanë zgjedhur të folezojnë në këtë zonë është edhe rosa e vendit dhe laraku i detit. Secili është i vecantë në llojin e vet, por dy studiuesit e rinj kanë të preferuarin e tyre.
"Gjatë eksperiencës time mund të them edhe shpendin e preferuar. Është një lloj shkabe e cila është e rrezikuar. Është Kali i qyqes, një shpend shtegëtues i cili dimëron në Afrikë dhe vjen në vendin tonë në periudhën e pranverës për të folezuar. Gjendet pothuajse vetëm në pjesën jugore të Shqipërisë me vetëm pesë çifte, pra një popullatë shumë e tkurrur dhe mbart njëkohësisht edhe statusin e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje në vendin tonë"-tregon studiuesja e shpendëve Ledi Selgjekaj.
Ndërsa Joni Vorpsi tregon se ka edhe ai një eksperiencë me shpendin e tij të preferuar:
"Shpendi që unë kam më për zemër është dallëndyshja e detit. Kjo pasi dy vite më parë, organizata PPNEA bëri një zbulim të kolonisë më të madhe të këtij lloji në vendin tonë dhe përfshirja më studimin e asaj kolonie ishte një afrimitet që edhe sot e kësaj dite, ai mbetet shpendi im i preferuar"
Së bashku me llojet e tjera të shpendëve, bota bëhet më e larmishme. Po afron koha e shtegtimit. Studiuesit I urojnë në mënyrën e tyre:
"Ndoshta nuk kemi një urim tradicional për nisjen e shtegtimit të shpendëve por mënyra se si ne i urojmë është puna që bëjmë me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për ruajtjen në vazhdimësi të këtyre popullatave dhe të habitateve të tyre natyrore”
“Këndo, Fluturo si një Zog” është motoja e ditës ndërkombëtare të shtegtimit të zogjve për vitin 2021, për t’u kujtuar njerëzve, se ka jetë përtej përditshmërisë.