Në një kohë kur rrjetet sociale janë kthyer në një marketing të produkteve kozmetike, gjithnjë e më shumë të rinj i besojnë influencerëve për trajtimin e lëkurës. Mjekët dermatologë paralajmërojnë një rritje të numrit të rasteve për persona të përdorin produkte pa një udhëzim mjekësor.
Kjo është vetëm një nga qindra videot që qarkullojnë çdo ditë në rrjetet sociale, ku influencerë të ndryshëm rekomandojnë produkte kozmetike si zgjidhje "ideale" për kujdesin ndaj fytyrës.
Një formë moderne marketingu që ka në shënjestër të rinjtë, të cilët, shpesh pa e kuptuar, ndihen të shtyrë të blejnë dhe të përdorin këto produkte.
Përdorimi pa u konsultuar me ekspertë rrezikon shëndetin e atyre që i konsumojnë këto produkte dhe ndikohen nga ata që rëndom konsiderohen influencerë, ndërsa skeptikët janë më të paktë.
“Ndonjëherë shikoj në Instagram, shoh çfarë këshillojnë, edhe e blejmë. Një shqiptare që më pëlqen shumë është Jori.”
“Produktet skincare janë më të sigurta, janë të paketuara dhe unë marr një produkt që është me emër.”
“Për fytyrën unë bëj gjithmonë ski-testin përpara, dhe më pas marr produktet që i nevojiten fytyrës time. Nuk mund të vendos unë, vetëm e vetëm sepse ndikohem nga një influencere.”
Sipas dermatologes Violeta Dajçi, jo vetëm që rastet e problemeve të lëkurës janë në rritje, por shpesh janë të përsëritura te të njëjtët persona.
“Çdo vit, për fat të keq, të gjithë e pësojnë ndonjëherë, por më e keqja është kur nuk nxjerrin mësim dhe e përsërisin gabimin. Kjo është shumë e trishtueshme. Ti sheh persona që i kanë blerë një herë, i kanë blerë disa herë, e më pas i drejtohen dermatologut’, tha ajo.
Por, cilat janë efektet që mund të kenë në lëkurë këto produkte?
“Këto janë më së shumti: skuqjet, alergjitë e ndryshme ose irritime të ndryshme që japin në lëkurë këto produkte të përdorura në mënyrën e gabuar nga personi i gabuar, por ndonjëherë edhe për shkak të përbërjes së tyre’, tha ajo.
Por ndikimi i influencerëve nuk ndalet vetëm te kremrat kozmetike. Disa të rinj ndjekin këshillat e tyre edhe për trajtime të akneve, një praktikë që ekspertët e konsiderojnë shqetësuese.
“Ka raste të shpeshta, djem dhe vajza që marrin pa fund produkte të tilla. Në fakt, aknet janë një patologji, është sëmundje e lëkurës dhe duhet trajtuar nga mjeku dermatolog. Këto janë raste të shpeshta që i hasim çdo ditë në praktikën tonë klinike, të gjithë ne dermatologët’, tha ajo.
Mjekët këshillojnë që përpara çdo trajtimi të lëkurës, të rinjtë të konsultohen patjetër me një specialist.
Komente
