Sociologu, Gëzim Tushi foli në Report Tv lidhur me ngjarjen para disa ditëve në Lushnjë ku dy të rinj dhunuan barbarisht një 43-vjeçar me aftësi të kufizuara në në të dëgjuar dhe në të folur.
Nëpërmjet një lidhje në Skype Tushi u shpreh se ky është një akt i turpshëm e kriminal.
“Jam tronditur në mënyrë ekzistencicale. Është një akt i turpshëm. Nuk e di se çfarë të keqe mund t’i sjellë një person me aftësi të kufizuara një njeriu të shëndetshëm. Ata kanë nevojë për mbështetjen tonë, kanë nevojë për mbrojtjen e tyre. Mirë që nuk mbrohen dot nga vetja për shkak të probemve të tyre por duhet të mbrohen edhe nga të tjerët”, tha sociologu.
Më tej ai shtoi se dhuna apo veprime të tilla kanë ardhur pasi marrëdhëniet në familje, konkretisht prind-fëmijë kanë filluar të turbullohen.
“Dikur kontrollimi ndaj fëmijëve ka qenë më autoritar. Ka një krisje në familje, sidomos në aspektin e edukimit”, nënvizoi Tushi, teksa theksoi se obligimet që kanë prindërit në jetën e përditshme kanë bërë që kjo marrëdhënie të lëkundet.
Tushi po ashtu shtoi se me adoleshentët e sotëm nuk mund të komunikosh si dikur, sepse ata janë rritur në liri dhe demokraci.
“Kanë prirje për të bërë akte heroizmi se ndihen të rritur. Ata nuk kanë frikë nga prindi apo mësuesi. Rrethanat e jashtme sociale ndikojnë te ta. Kemi abuzime seksuale apo shoku i merr jetën shokut” tha Tushi ndërsa theksoi se një nga arsyet që ndikon është edhe përdorimi i drogës në moshë të hershme.
Tushi shtoi se edhe mënyra si përdoret sot teknologjia, veçanërisht rrjetet sociale si TikTok ndikojnë në formimin e të rinjve.
“Grindjet fillojnë që në rrjetet sociale. Prindërit kanë ndërruar shpatat, i hedhin fajin teknologjisë. Por nuk e ka fajin teknologjia, por edukata. Kemi një ping pong midis shkollës dhe familjes. Mësuesi thotë e ka fajin familja dhe anasjelltas. Mësuesët nuk janë thjesht mësimdhënës ata janë misionar. Është këputur ura midis shkollës dhe familjes. Adoleshenca është hallka më e dobët e shoqërisë shqiptare”, përfundoi Tushi.
Komente
