Shqipëria është ndër vendet që ka shkallën më të lartë të papunësisë në rajon sa i takon grupmoshës 15-29 vjeç. Të rinjtë e sapodiplomuar dhe jo vetëm e kanë të vështirë të integrohen në tregun e punës, çka ka bërë që 23,3% e rinisë shqiptare të jetë e papunë.
Eksperti për çështjet e punësimit dhe karrierës, Erion Muça thotë se kalimi nga 9-vjeçarja në gjimnaz dhe më pas në universitet pa u informuar për profesionet që kërkohen në treg është një nga shkaqet kryesore për këtë nivel të lartë papunësie tek rinia.
“Këshillimi i Karrierës në Shqipëri jo vetëm nuk merret parasysh por vetëm në vitet e fundit po merret në konsideratë. Do të duhet të nisë që në 9-vjeçare aty ku merr drejtim nevoja dhe kërkesa për më shumë informacion mbi përzgjedhjen e degës, pra shkollë profesionale apo gjimnaz”, shprehet Muça.
Pas përfundimit të gjimnazit një pauzë për të punuar, do të ndikonte tek studentët për të zgjedhur degën e duhur, pasi niveli më i lartë i papunësisë është tek ata që kanë arsim të lartë (25.9% e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç me arsim të lartë ishin të papunë në fund të 2020 sipas INSTA).
“Jo gjithmonë ka informacion të bollshëm për të rinjtë se cilat janë ato programe punësimi të cilat kanë hapësira dhe mundësi punësimi në treg, dhe rrjedhimisht marzhi i gabimit në përzgjedhje është relativisht i lartë”, u shpreh eksperti Muça.
Sa i takon aspektit ekonomik, eksperti Vjoldi Danaj thotë se papunësia në tremujorin e parë të këtij viti është rritur për shkak të pasigurisë që kanë bizneset për të zhvilluar plotësisht aktivitetin e tyre.
“Jemi në një moment të bllokuar nga ana e bizneseve sepse janë të paqarta nga ana ekonomike, dhe kjo ka sjell mos-zhvillimin e tyre, apo qëndrimin e tyre deri diku të bllokuar derisa të shohin ndonjë ndryshim. Në gjashtëmujorin e dytë të 2021 sidomos me fillimin e sezonit turistik mund të kemi një përmirësim të situatës ekonomike, por jo të arrijmë në 5.5% rritje të ekonomisë reale mendoj deri në 3.3%. Ndërsa papunësia në këto tre muaj do të njohë një ulje por do të rikthehet papunësia pas shtatorit apo tetorit”, u shpreh eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj.
Papunësia në fund të muajit mars të këtij viti arriti në 11.9% aq sa ishte në kohën e karantinës në vitin e kaluar. Ndikim në këtë rritje sipas ekspertëve ka dhënë edhe përfundimi i paketave mbështetëse të shtetit për të papunët e dalë nga pandemia.
“Paketat mbështetëse të shtetit dhe mbështetja për të dalët e papunë nga pandemia tanimë kanë përfunduar. Tregu i punës do futet në shinat e veta në momentin kur do të jetë prioritet primar i çdo qeverie dhe i shtetit”, thotë Erion Muça.