Kultura

Të rinjtë mësojnë për të shkuarën në mediat sociale! Godole: Për historinë po flasin qytetarët, jo historianët! Mediat sociale glorifikojnë të shkuarën dhe nostalgjinë

5 Maj, 13:46| Përditesimi: 5 Maj, 15:35

  • Share

Shqiptarët e sidomos brezi i ri informohen për historinë së shumti nëpërmjet mediave sociale, ndaj njohja e tyre për të shkuarën është e manipuluar. Ky është përfundimi ku ka arritur në bazë të një studimi, Instituti për Media, Demokraci dhe Kulturë. Në konferencën përmbyllëse “Media dhe kujtesa: Drejt një qasjeje gjithëpërshirëse të historisë” që u mbajt në Tiranë, pedagogë, ekspertë të fushës, gazetarë e studentë diskutuan lidhur me mënyrën se si media ndikon në njohjen historike.

“Përmes këtij studimi donim të nxirrnim në pah në ç’pikë jemi sot me kujtesën në kohën e rrjeteve sociale, në median online, në të cilat brezi i ri kalon pjesën më të madhe të kohës. Ajo që na rezultoi duke bërë analizë të 701 postimeve të ndryshme, në emisione, në mediat online, platformat OTT dhe rrjetet sociale është që në pjesën më të madhe, autorët që shkruajnë për historinë janë qytetarët, pa dokumente, pa burime, është ‘anonimi’, ndërkohë vetëm 3.4 përqind e të ftuarve janë historianë që kanë ekspertizë që e dokumentojnë atë që thonë.”, - thotë Jonila Godole, drejtuese e IDMC-së.

Studimi është shoqëruar me një sërë videosh ndërgjegjësuese për brezin e ri, ku shihet që nuk kanë informacion për të shkuarën, por edhe prindërit dhe gjyshërit kanë informacion të fragmentarizuar, gjë që krijon probleme për atë se si do ta shohim historinë në të ardhmen.

“Historia është si themelet e një godine të fortë dhe në çastin që këto themele janë të fragmentuara, jocilësore, nuk mund të kemi demokraci të qëndrueshme, të ardhme ashtu siç duhet.”,- vëren Godole.

Në raport vërehet që rrjetet sociale janë më problematike sa i përket glorifikimit të së shkuarës dhe nostalgjisë, ndërsa televizionet dhe platformat OTT janë më mirë sa i përket respektimit të standardeve profesionale, pavarësisht se nëse bëhet analizë cilësore mbi përmbajtjen e asaj çfarë thuhet, edhe kjo mund të jetë problematike.

 

 

B.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?