Kultura

Të rinjtë nga Ballkani Perëndimor, ekspozitë në Tiranë! Një fotografi, një histori dhe rrëfim mbi vlerën e sportit

22 Korrik, 12:58| Përditesimi: 22 Korrik, 14:09

  • Share

Notar i shkëlqyer, Gersi Troka është një sportist me sindromën down, që ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike.

Por këtë herë ai është ylli i një ekspozite me foto, pasi është në qendër të një fotografie të realizuar nga Klevisa Kapo, ndërsa shfaqet duke qëndruar në shpatullat e trajnerit të tij, gjatë Lojërave Botërore Olimpike Speciale në Berlin.

Kjo fotografi është përzgjedhur krah 17 të tjerave, si një nga më përfaqësueset në ekspozitën e “We Balkans”, të çelur këtë të martë në Shtëpinë e Evropës në Tiranë.

“Për mua kjo fotografi është fituese. Më ngacmoi dëshira e një djali me sindromën doën për t’u marrë me sport dhe për të arritur të fitojë dhe bashkimi me moshatarët e tij. Kjo është tema: bashkimi përmes sportit.”, - thotë për "Report TV",  fotoreporteri Armando Babani, njëherësh anëtar i jurisë së konkursit, ku fillimisht u paraqitën 200 fotografi.

E emërtuar “Gati. Qëndro. Evropa jonë!” ekspozita synon të reflektojë mbi entuziazmin e të rinjve për sportin, mbi kreativitetin dhe vlerat evropiane dhe ftoi të rinjtë të tregonin urat lidhëse midis popujve të Ballkanit se si sporti i lidh njerëzit, nuk krijon ndarje, por bashkim.

“Sot nuk po shohim thjesht disa foto, por po dëgjojmë zëra të të rinjve nga gjithë rajoni, që kanë përdorur aparatin e tyre si e shohin Evropën, vlerat e saj dhe cili është përfytyrimi që ata kanë për të ardhmen e kësaj Evrope. Ky aktivitet përcjell qëndresë, bashkëjetesë, gjitjhëpërfshirje, respekt për njëri-tjetrin dhe punën në ekip, vlera që qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropian.”, - thotë Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri.

Më herët, këto fotografi janë ekspozuar në Beograd, Podgoricë dhe Shkup, për të udhëtuar pas Tiranës edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Prishtinë, ndërsa gjashtë prej tyre, pas një përzgjedhjeje përfundimtare do të shfaqen në një nga kryeqytetet e Bashkimit Evropian.

E pranishme gjatë çeljes së ekspozitës ishte edhe Klodiana Shala, Kampione Evropiane e Atletikës dhe gruaja e parë shqiptare që mori pjesë në Lojërat Olimpike (Athinë 2004), Briken Calja, Kampioni Evropian i Peshëngritjes dhe Finalist i Lojërave Olimpike (Tokio 2020), të cilët reflektuan mbi fuqinë e sportit për të kapërcyer kufijtë dhe për të ndërtuar lidhje midis të rinjve,  Arian Rexhepi, Menaxher i Komunikimeve Digjitale dhe Mediave për ËeBalkans dhe Kleidi Memo, anëtar i rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropianë.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?