Kultura

Të rinjtë nga nëntë vende tregojnë “Odisenë e Mesdheut”! Dokumentari, në Tiranë pas shfaqjes në festivalin e Kanës

21 Qershor, 12:11| Përditesimi: 21 Qershor, 14:21

  • Share

Është një film i shkurtër poetik, një rrugëtim simbolik i një pike uji që udhëton nëpër brigjet e Mesdheut, duke sjellë histori lokale, kujtime dhe ëndrra për të ardhmen. “Odiseja e Mesdheut” sjell vështrimin e të rinjve nga vende të ndryshme të këtij rajoni për trashëgiminë kulturore.

I shfaqur për herë të parë në Festivalin e Filmit në Kanë, më 23 maj, si pjesë e “Odisesë së Kinemasë Pozitive”, tani, ky film u shfaq edhe në Tiranë, si pjesë e aktiviteteve të Forumit Euro-Mesdhetar, ALForum dhe shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Kulturës Mesdhetare. Filmi u prodhua nga organizata franceze "Héritage & Civilisation", në bashkëpunim me OJQ-në shqiptare "Argjiro", me mbështetjen e Ambasadës Franceze.

“Qëllimi i kësaj Odiseje ishte që të bënte bashkë nxënësit e 9 vendeve të Mesdheut: Shqipërinë, Italinë, Tunizinë, Turqinë, Libanin, Spanjën, Greqinë, Egjiptin dhe Francën. Është një program që ne kemi zhvilluar me nxënësit e shkollave të mesme të klasave frankofone. Nxënësit kishin për objektiv të flisnin për trashëgiminë e tyre, për historinë e tyre.”, - thotë për "Report TV", Lara-Scarlett Gervais, drejtuese e “Heritage & Civilisation”

Duke u nisur nga vetja e tyre për të takuar të tjerët, ata prezantuan kulturën e tyre, me qëllim forcimin e lidhjes me njëri-tjetrin dhe për të favorizuar një dialog të njohurive dhe të paqes mes të rinjve në Mesdhe.

“Prodhuam këtë film të shkurtër, 15 minuta, me pjesët më të bukura të gjashtë filmave të prodhuar nga 6 grupe, me nxënës nga Shqipëria, Egjipti, Tunizia, Turqia etj. Ka dalë një lloj mozaiku multikulturor, se si fëmijët e Mesdheut të vendeve të ndryshme e shohin trashëgiminë kulturore.”, - thotë Ilda Mara, drejtuese e “Argjiro”.

Ky projekt ndërkombëtar, i nisur në janar 2024, përmes artit dhe bashkëpunimit, fuqizon të rinjtë të imagjinojnë Mesdheun si një hapësirë empatie dhe trashëgimie të përbashkët.

 

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    NATO miraton rritjen e shpenzimeve me 5% për mbrojtjen, si e vlerësoni?