Në këtë periudhë të vështirë pandemie, që skenat operistike kudo në botë qëndrojnë kyçur, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, çeli sezonin me koncertin “Artistët e së ardhmes” në ambientet e saporikonstruktuara.
Zana Çela e cilëson mbështetjen e këtyre të rinjve, si një projektet më të mëdha që ka realizuar gjatë detyrës së saj si drejtoreshë e TKOB-së
“Nga eksperienca e jetës time si artiste, mësova se çdo të thotë t’i presësh ëndrrën një të riu, pa i dhënë shansin e skenës… ndërsa nga eksperienca e punës si menaxhere arti, e di mirë çfarë mund ti ndodhë një teatri pa i siguruar artistët e të ardhmes. Ndërtuam një platformë e cila jo vetëm parashikonte strategjinë e angazhimit të artistëve të rinj, e konkretizuar me tituj shfaqesh e rolesh ku ata duhet të merrnin pjesë. U punësuan 102 artistë dhe të rinj të tjerë në teknike dhe prodhimin skenik apo marketing. Sot ne e hapim sezonin artistik 2021 pikërisht me koncertin e tyre me titull ”Artistët e së ardhmes”, me ata që mbështetjen dhe punën trajnuese të stafit tone, jo vetëm e justifikuan, por tashmë janë kthyer në mbështetje për ne, në siguri për vazhdimësinë e traditës më të mirë të interpretimit vokal, të baletit dhe instrumental”, rrëfen drejtoresha Zana Çela.
Disa nga ariet e njohura operistike, si “Che gelida manina”, “Sempre Libera” dhe “Stride la vampa” të interpretuara nga artistët e rinj, si Denis Skura, Nina Muho apo Ivana Hoxha e të shoqëruar në piano nga Herta Cene dhe Igli Rapaj u duartrokitën nga publiku, që ndonëse për shkak të masave anticovid ishte i paktë në numër, shijoi koncertin e virtuozëve të rinj deri në fund.
Gjatë viteve të fundit në Teatrin e Operës janë punësuar rreth 100 artistë, ndërsa koncerti i radhës në këtë institucion do të jetë këtë fundjavë.