Selia e Partisë Demokratike

Të sakrifikohesh për Njëshin

2 Qershor 2022, 10:44| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 10:48

  • Share

Ngrirja e marrëdhënieve të PPE ( Partive Popullore Evropiane) me PD-në dhe fakti që pezullohet vota e saj nga procesi i zgjedhjeve për kreun e ri të këtij organizmi të partive të djathta e të qendres së djathtë të kontinentit të vjetër, çon në pikën zero dhe fshin gjithë historikun e partisë së parë të pluralizmit shqiptar në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.Duket se kjo pjesë është anashkaluar disi në analizat mbi zhvillimet politike dhe për pasojat që sjellin ato mbi ardhmërinë e kësaj force të përfshirë në përçarje, tension të brendshëm dhe kaos identitar. Ndaj pezullimi që vjen nga partitë simotra evropiane është veç një element i shtuar që thjesht tregon procesin e rënies së lirë që ka përfshirë partinë më të madhe opozitare në vend. E gjitha kjo e ka një shkak dhe përgjegjësi gjithashtu ka një emër. Përgjegjësi kjo që po merr me vete në fatin e tij të keq të gjithë partinë të cilën e ka akaparuar.

Non grata e Berishës nuk mund të ish kurrsesi një akt i shkëputur dhe që ngelet  tek pasojat personale. Non grata shndërrohet çdo gjë që Berisha e prek politikisht apo që i shërben si vegël atij në përpjekjet për të larë vetveten. Po ashtu Non grata dëshmoi se nuk do të mbetej një vendim i izoluar i SHBA. Sot tingëllojnë naive deklaratat e idhtarëve të parë të Berishës në rrugën e tij të Foltores ndërsa relativizonin dënimin e dhënë nga SHBA për ish liderin, me faktin se Berishën sidoqoftë e duan evropianët dhe se marrëdhëniet me ta mbeten “shkëmb graniti”. Në fund të rrugëtimit të Foltores, ndërsa shpalleshin rezultatet e votave për kryetar të PD-së, edhe nga miqtë evropianë nuk pati asnjë mesazh urimi si për Berishën ashtu dhe për atë pjesë të PD-së të drejtuar prej tij. Vetëm heshtje. Pasi Berisha i kish surprizuar të gjithë me piruetat e shndërrimit të tij në flutur me kurorë, por jo ndërkombëtarët.

Surpriza u mbeti në derë atyre që menduan se mund ta përdorin Berishën. Që besuan se misioni i tij do të përmbyllej me rrëzimin e ish delfinit të tij, Bashës , dhe do të hapte rrugën për një brez të ri në lidershipin e partisë më të madhe të opozitës. Por fakti ish që ishin ata që u përdorën nga Berisha duke shuar çdo fantazi të gjithësecilit e duke deklaruar papritur se do të ishte ai vetë që do ishte në krye të PD-së. Përroi  i ideve të brezit të ri të politikës se si duhej të shndërrohej PD në të ardhmen nën drejtimin e lidershipit të ri, shterroi papritur. Berisha mund të tregohet i hapur e plot fantazi për aleanca deri sa të arrijë qëllimin, por kur arrin të jetë në krye, nuk i pëlqejnë më idetë e të tjerëve. Kështu gjithë ai process i nisur e plot trumbetim për hapje e krahëhapje, për ide të reja e vision shpresëdhënës, u venit për ti mbetur eskluzivitet vetëm njëshit, të pandryshueshmit në dekada e që mbetet i pandryshueshëm dhe në mentalitet.

Gjithsesi, për tu rikthyer te krisja e madhe e një force politike me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me partitë simotra evropiane, perspektiva e PD-së me një Berishë në krye nuk duket aspak optimiste. Përkundrazi. Po shkohet drejt një izolimi të plotë me pasoja të rënda për të ardhmen politike të saje që nuk shkon dot si më parë, me parametrat e një partie që është alternativë pushteti. Niveli i besueshmërisë ndaj PD-së ka shkuar më poshtë edhe se statusi i një partie modeste të një vendi evropian, por që gjithësesi e mbajnë në rresht për parimet e përbashkëta që ndajnë së bashku dhe parametrat demokratikë  si bazë themeli. Pezullimi nga PPE ka hapur një portë të ndaluar që do të ndikojë njeshëm në zhvillimet e mëtejshme në PD. E ardhmja e saj është future në një vorbull, e në përgjithësi vorbullat e shpërbëjnë dhe e copëtojnë atë që është futur në shtjellë. Dhe PD-ja pak e ndarë dhe e përçarë është sa i duhet dhe një vorbull tjetër ku të futet?

Nëse kujtojmë historinë e pluralizmit shqiptar, PD- së, si parti e parë opozitare në një vend të dalë nga diktatura komuniste, iu hapën të gjitha dyer e përkrahjes dhe mbështetjes nga miqtë ndërkombëtarë. PD u pranua menjëherë në PPE dhe përkrahja e tyre ishte pa rezerva dhe e plotë. Ndryshe ndodhi me PS-në. E transformuar nga një Kongres në vitin 1992, nga Parti e Punës në Parti Socialiste, socialistët e patën të vështirë rrugëtimine tyre drejt partive simotra evropiane.

Për vite me rradhë, kërkesa për anëtarësi e PS në Internacionalen Socialiste ( më pas në partitë Socialsite e Socialdemokrate evropiane), mbeti në pritje për shumë kohë. Evropianët kërkonin të vertetonin me fakte nëse PS ish shndërruar në modelin e tyre. Në atë kohë anëtare e Internacionales ishte PSD por jo PS dhe ky fakt u përdor intensivisht nga RD dhe mediat pranë qeverisë Berisha 1 për të goditur opozitën socialiste dhe për ta paraqitur si të pareformuar dhe jo të besueshme për ndërkombëtarët si alternativë për në pushtet. Tashmë, situata është mëse rekamboleske për PD-në. Me një Berishë non grata në krye jo vetëm nuk mund të shihet si një alternativë pushteti, por as e denjë për tu ulur në tryezën e PPE-së.

Dhe natyrisht edhe vetë propaganda e PS-së do ti mëshojë fort këtij fakti në betejat e brendshme politike. Çështja është se si duhet të veprojë PD në të tilla rrethana. Dikur PS për ti dhënë vetes një fytyrë më evropiane u tregua e gatshme të largonte prej saj të gjithë lidershipin e vjetër politik por jo vetëm kaq. Përqafoi parime të reja duke i qëndruar larg mentalitetit të vjetër për të hedhur bazat e një partie më moderne politike. A mund ta bëjë këtë PD për të garantuar të ardhmen e saj politike? A nuk ka forcë dhe mendje të kthjellëta që në momente të veçanta duhen sakrifikuar peshat e tepërta për të garantuar vijueshmërinë e për të shmangur katastrofën? Çfarë do të ngjasë pritet ta shohim në të ardhmen. Gjithësesi nëse mosketierët kishin moton e tyre “ Të gjithë për një e një për të gjithë”, do të ish paradoks që një partie politike ti vijë fundi i ciklit të vet prej faktit se të gjithë do të sakrifikohen për Njëshin.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?