Në kuadër të projektit “Tirana në sytë e Sigurimit të Shtetit” me fokus hedhjen dritë mbi historinë gjysmëshekullore të Tiranës kryeqytet në diktaturë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, organizoi aktivitetin “DOSJA E HAPUR- Analiza e dosjeve të Xhahit Toptani dhe Abdyl Këllezi”, me ligjëratë nga Prof.Asoc. Dr. Gjon Boriçi, Instituti i Historisë me pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit, historianëve, studiuesve dhe institucioneve publike.
“DOSJA E HAPUR”, është një aktivitet periodik ku Autoritetit synon të përfshijë studiues, kërkues shkencorë dhe individë, për të hapur me iniciativë dosje të figurave, ende të panjohura, që u survejuan gjatë regjimit komunist. Kjo qasje në studim do të shtrihet në katër dimesione: Shtypje, Qëndresë, Solidaritet dhe Mbijetesë.
Nëpërmjet studimit e hulumtimit të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për ngjarje dhe figura të kryeqytetit të Tiranës, Autoriteti synon që bashkë me zbardhjen e historisë së të shkuarës të analizojë faktet historike që ndikuan në jetën e banorëve të kryeqytetit të cilët edhe pse në kushtet e terrorit dhe dhunimit të të drejtave dhe lirive të njeriut nga pushteti, u përballën me dinjitet njerëzor me shtypjen.
Ligjërata e studiuesit ka në qendër analizën e dosjeve së Xhahit Toptanit dhe Abdyll Këllezit- ku trajtohen çështje të arrestimit, akuzave, hetuesisë dhe më pas pushkatimit dhe persekutimit të familjarëve. Studiuesi i konsideron dy figurat nё dukje antagoniste me njёra –tjetrёn, por me fat të përbashkët. Xhahit Toptani, i biri i patriotit tё madh Abdi Toptani, firmёtar i Pavarёsisё sё Shqipёrisё mё 28 nёntor 1912, dhe i dyti, Abdyl Kёllezi, anёtar i PPSH-sё. Tё dy vijnë nga familje tiranase, tё dy nga familje tregtare dhe tё dёnuar nga regjimi komunist. Bashkë me analizën e dosjes, vijnë edhe zërat e trashëgimtarëve të tyre, të cilët u internuan dhe u përndoqën duke kaluar një jetë nën terror.
Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, tha se dialogu për Tiranën synon të shkojë drejt së vërtetës.
“Dialogu për Tiranën synon të shkojë drejt së vërtetës ndaj sot hapim siparin e kolanës “Dosja e hapur”. Dosja e hapur do të jetë një aktivitet periodik i shpeshtë që do të aktivizohet nga Autoriteti me kërkesë të familjarëve, personave të prekur direkt nga sigurimi i shtetit ose me kërkesë të studiuesve. Sot marrim në analizë dy figura të rëndësishme në jetën e kryeqytetit. Xhahit Toptani dhe Abdyl Frashëri vijnë të familje e madha të kryeqytetit, të shkolluar në perëndim, familje por janë njerëz të ndryshëm politikisht, por me fate të njëjta.
Dimensioni i shtypjes, dhe këtu do përfshihet fakti se si organizohej shtypja e policisë politike ? Ish-Sigurimin e Shtetit ka ushtrua shtypje me pasoja tragjike në jetët e njerëzve të pafajshëm. Qëllimi i Institucionit tonë është që pa i njohur këto dëme, pa i treguar këto, pa u pajtuar me të vërtetat nuk do të ndodhi integrimi e shoqërisë.
Qëndresa, është një tjetër element që duam të dëshmojmë. Shpeshherë thuhet se qe aq e fortë shtypja, aq tragjike sa njerëzit nuk rezistuan. Në 22 milion faqe dokumentare të arkivit janë jetët e njerëzve të cilët menduan ndryshe, vepruan ndryshe, ishin ndryshe. Edhe të ekzistosh si vetvetja është një akt qëndrese. Edhe të thuash një fjalë, të reagosh me një letër, të lësh një dëshmi, të sillesh si njeri është një akt qëndrese.
Për Solidaritetin ne kemi sërish çfarë të themi. Sistemi u përpoq t’i ndajë njerëzit, u përpoq të hyjë në qelizë, u përpoq t’i ktheje kundra, por në edhe në atë kohë ka pasur njerëz që e gjetën mënyrën se si të përcjellin mesazhe njerëzore, komshiut, familjarit, fëmijës dhe të gjitha këto duhen bërë të njohura.
Dhe ajo që është më e rëndësishme mbijetesa. Vërtet në 50 vjet, sistemi politik dhe shtetëror bëri atë çka tashmë dihet dhe për të cilën flasim me punën tonë çdo ditë. Ata që vdiqën lanë mbrapa kujtimin e mirë, lanë mbrapa familjarë, lanë mbrapa shembuj. Edhe ne shpesh e themi që në terrin e natës janë ata që na ndriçojnë rrugën, si yjet, me jetën e tyre dhe na inspirojnë për vepra të mira.”
Aktiviteti u mbajt në bashkëpunim me Shoqatën “Tirana”, Institutin e Historisë dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.
Me rastin e nisjes së dialogut për Tiranën në 19 nëntor të vitit 2021 u çel ekspozita arkivore me materiale të cilat u hapën për herë të parë për qytetarët e Tiranës. Në këtë ekspozitë u shpalosën rreth 8200 fletë të dhjetëra dosjeve ORV të Sigurimit, që zbërthejnë psikologjinë e regjimit dhe të shtypjes në diktaturë. Materialet janë pjesë e: Fondit Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, Dega IV, Fondit operativ, Fondit Drejtoria II-të, të Arratisurit, etj.
Dialogu për Tiranën është ftesë për reflektim, një mundësi që shoqëria, studiuesit dhe institucionet, duke përfshirë të rinjtë, të bashkëpunojnë për të shtuar burimet në ndërtimin e një narrative të re, mbështetur në gjenealogji, histori lokale, respekt ndaj viktimave dhe lehtësim të dhimbjes së tyre, po ashtu nderim të figurave historike dhe personaliteteve të kryeqytetit, të survejuar, përndjekur e të përbaltur nga diktatura.