Autori i golit të parë të Kombëtares në fitoren 2-1 kundër Kosovës, Bekim Balaj, thotë se është gjithmonë kënaqësi të shënosh për kuqezinjtë pavarësisht se ishte një miqësore. Sipas ‘bomberit’ shkodran ekipi i drejtuar nga Reja bëri një paraqitje pozitiv kundër ‘dardanëve’ para dy sfidave të rëndësishme në Ligën e Kombeve.
“Është kënaqësi gjithmonë të shënosh për ekipin kombëtar dhe mendoj testi me Kosovën ishte serioz para dy sfidave që na presin. Bëmë një paraqitje mire dhe realisht ndjehemi gati për këto dy sfida,”-u shpreh Balaj.
Më tej Balaj nuk e mohon se Kombëtarja është në presion për dy ndeshjet e ligës së Kombeve me Kazakistanin të dielën dhe Bjellorusinë të martën, pasi për të arritur objektivin që është vendi i parë të dy sfidat duhen fituar me patjetër.
“Ndoshta jemi mësuar të suprizojmë pak me rezultatet tona, kur nuk kemi qenë favorit kemi bërë mirë dhe në këto raste na bie pak presion, sepse në këto dy ndeshje, duke parë edhe kundërshtarët pritet vetëm fitorja. Unë mendoj se e di çfarë duhet të bëjmë për të marrë fitoret,”-deklaroi sulmuesi.
Ndërkohë mesfushori Ylber Ramadani është shprehur i prerë përsa i përket takimeve të radhës.
“Unë mendoj që të dyja ndeshjet janë të rëndësishme sepse objektivi është të kapim vendin e parë dhe duhet t’i fatojmë patjetër këto dy ndeshje,"-tha Ramadani.
Për ndeshjen me Kazakistanin që luhet të dielën UEFA ka njoftuar edhe arbitrat që do të jenë një katërshe nga Spanja me kryesor Xavier Fernandes. Ndërkohë përsa i përket përballjeve direkte me Kazakistanin, Shqipëria ka zero humbje, një barazim dhe dy fitore.