Në tranzicionin tonë të gjatë, më shumë se me këdo, jemi përplasur me njëri-tjetrin dhe me veten. Një tranzicion që na ka kërkuar të zgjedhim mes anës sonë të errët, primitive dhe të pazhvilluar dhe anës sonë progresiste, plot dritë, punë dhe vlerë. Janë përplasje që qytetërimet i kanë kaluar në periudha të ndryshme, por ne, herë të “mbytur” nga otomanë, herë nga pushtues nazi-fashistë e herë nga shqiptarët tanë, nuk kemi mundur të marrim frymë. Kanë qenë pesha të rënda dhe të mundimshme që na e kanë bërë disafish të vështirë krijimin e vetvetes, por për këtë arsye disafish më me vlerë atë që kemi fituar me mundim: Civilizimin dhe qytetarinë.
Por ç’janë në të vërtetë këto koncepte që shumë vetë, me dashje apo pa dashje, i ngatërrojnë me prejardhjen nga fshati apo qyteti të dikujt. Aspak! Mund të takojmë mes nesh shqiptarë të civilizuar në fshatrat më të thellë, ashtu siç mund të takojmë të kundërtët, në mes të kryeqytetit. Le t’i marrim me radhë.
Të jesh qytetar nuk do të thotë vetëm të kesh një dokument identiteti apo t’i përkasësh një shteti. Është shumë më tepër se kaq. Të jesh qytetar do të thotë të marrësh pjesë në jetën e komunitetit, të respektosh ligjet, të mbrosh të mirën e përbashkët, dhe të ndihmosh në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.
Ndërsa të jesh i civilizuar do të thotë të sillesh me dinjitet, me respekt për të tjerët, me kulturë dialogu, me durim dhe me etikë. Është aftësia për të bashkëjetuar me mendime të ndryshme, pa dhunë, pa urrejtje, por me mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Pse ka rëndësi sidomos sot? Në kohët që po jetojmë – me sfida sociale, politike dhe kulturore gjithnjë në rritje – qytetaria dhe sjellja e civilizuar janë më të nevojshme se kurrë. Të jesh qytetar aktiv e i civilizuar do të thotë të mos rrish indiferent, por të reagosh me maturi. Do të thotë të mos provokosh ndasi, por të kërkosh ura bashkimi. Në një botë ku shpesh dominon polarizimi, intoleranca apo egoizmi, qytetaria dhe civilizimi janë aktet më të larta të përgjegjësisë njerëzore. Pa to, demokracia zbehet, shoqëria dëmtohet, dhe e ardhmja bëhet më e pasigurt. Në këtë kontekst, është thelbësore të rikujtojmë një parim që shpesh harrohet: respekti i ndërsjellë. Mendimet e ndryshme politike nuk duhet të jenë kurrë burim përçarjeje, por një mundësi për dialog të qytetëruar. Respekti për zgjedhjet e të tjerëve, edhe kur nuk i ndajmë ato, është ajo që dallon një shoqëri të qytetëruar nga një shoqëri e intolerancës. “Vota e duhur” nuk është ajo që përputhet me bindjet tona personale, por ajo që jepet me liri, ndërgjegje dhe përgjegjësi.
Me 11 Maj do të shkojmë të votojmë, por nuk mjafton vetëm kaq. Duhet edhe të respektojmë. Shumë shpesh sot ndahemi për shkak të ideve politike, sikur një mendim ndryshe të ishte armik. Në fakt, çdo këndvështrim është një pjesëz e një mozaiku më të madh: ai i bashkëjetesës qytetare, por disa duan ta “ndotin” këtë koncept qëllimisht. Më të mirët në botë na kanë mësuar se shenja e vërtetë e pjekurisë nuk është të imponosh idetë e tua, por të dish të dëgjosh ato të të tjerëve. Vota e vërtetë e drejtë është ajo e lirë, e ndërgjegjshme, me respekt. Edhe nëse nuk jemi dakord, mund t’i japim dorën njëri-tjetrit. Sepse në fund, të gjithë duam të njëjtën gjë: një vend më të drejtë, më të bashkuar, më njerëzor. Kush mishëron këto koncepte, e meriton votën tonë.
Komente
