Lezhë- Konflikti mes familjeve me motive pronësie, ka përfunduar në përleshje me sende të forta e prerëse, dhe për pasojë një prej tyre përfundoi i plagosur rëndë në spital.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Balldresë, në fshatin Torovicë, në Lezhë, mbrëmjen e sotme (27 Tetor). Dy persona, Sokol dhe Nikolin Boga, babë dhe bir, janë përleshur me një 47-vjeçar.
Ky i fundit po merr mjekim në spitalin e qytetit dhe ka dëmtime serioze nga një mjet prerës bujqësor, kosore. Po kështu i lënduar mbeti edhe Nikolin Boga, kurse i ati u arratis nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim. I biri po mjekohet dhe më tej do shoqërohet në Komisariat.
“Rreth orës 17:35, në Balldre, Lezhë, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta është dëmtuar me një mjet prerës (kosore), shtetasi L. M., 47 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha policia vendore.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi hetimor, dyshohet se 47-vjeçari është goditur nga Sokol Boga dhe djali i tij Nikolin Boga, gjatë konfliktit fizik mes tyre. I pari është shpallur në kërkim nga uniformat blu.
“Po nga konflikti është dëmtuar lehtë dhe shtetasi Nikolin Boga, i cili pas ndihmës mjekësore do shoqërohet në Komisariat për veprime të mëtejshme”, sqaroi policia vendore për veprimet proceduriale.
Gjithashtu po nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë thyer dhe xhamin e parë të automjetit në pronësi të 47-vjeçarit të plagosur.
Hetimet po vijojnë bashkë me prokurorinë vendore, për të zbardhur plotësisht dinamikën e krimit dhe shkaqet, për dokumentimin ligjor.