LEZHË - Një 67-vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të hëne (24 shkurt 2025) në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet që vrasja e 67-vjeçarit, të identifikuar si Dod Nok Mamli, lidhet me një konflikt pronësie, por nuk përjashtohet hakmarrja.
Doda është qëlluar teksa po punonte në pyll. 67-vjeçari është gjetur i pajetë nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar policinë. Viktima ka 2 plumba në gjoks dhe 1 në kokë.
Dy djemtë e 67-vjeçarit të vrarë, Enrik Mamli alias Elton, dhe Tom Mamli, kanë vrarë në vitin 2015 kushëririn e tyre, Naim Tafën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
"Në rrugën e fshatit Vilëz, Zhejë, Kurbin, shtetasi D. M, 67 vjeç është vrarë me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar",- njofton policia.
Ngjarja e vitit 2015
Elton Mamli dhe Tom Mamli, vëllezër me njëri-tjetrin, në dt. 23.09.2015, kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit.
Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte i përfshirë në përleshje. Ndërkohë që u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin, bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Prokuroria e Kurbinit kërkoi 107 vjet burgim në total për 4 persona, të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
1. Tom Mamli të dënohet me 33 vjet burgim
2. Elton Mamli të dënohet me 26 vjet burgim
3. Gazmir Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
4. Taulant Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
Gjithashtu, Prokuroria e Kurbinit kërkoi dënimin me 2 vjet burgim për shtetasin Dorian Mamli, i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.
Lajm në përditësim...
Komente
