SHKODËR- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në Shkodër. Report Tv bën me dije se është qëlluar në drejtim të një mjeti të parkuar në lagjen ‘Prek Cali’, por fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar.
Burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se një mjet në lëvizje ka qëlluar në drejtim të një 'Touareg' e zi të parkuar me targa angeleze. Ka qenë pikërisht 'Touareg' i zi objektivi, teksa plumbat kanë kapur edhe 'ML' që ishte parkuar aty pranë. Mbetet e paqartë nëse është një paralajmërim apo atentat të dështuar ndaj drejtuesit të mjetit, identiteti i të cilit nuk dihet ende.
Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja raporton se të shtënat me armë janë regjistruar në një zonë të frekuentuar, teksa aty pranë ka edhe biznese të pajisura me kamerat e sigurisë. Kjo do të ndihmojë edhe grupin hetimor për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje, si edhe për të rënë në gjurmët e mundshme të autorëve.
Në vendngjarje janë gjetur 2 gëzhoja pistolete, teksa grupi hetimor po punon për të zbardhur ngjarjen e plotë.
Report Tv sjell video nga vendi i ngjarjes, ku shikohet se plumbat kanë kapur edhe ‘ML’ e parkuar në lagjen ‘Prek Cali’ në Shkodër. Objektiv ka qenë 'Touareg' i zi.