“Grupe ilegale serbe po përpiqen të ndalojnë policinë e Kosovës që të kryejë detyrën”, kështu e cilësoi Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla sulmin me armë ndaj njësisë policore të Kosovës, pranë liqenit të Umjanit.
“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollën rutinore në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë. Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policor për t’i penguar ose për t’i vrarë ata” , shkruan Sveçla në Facebook.
Njësia policore e Kosovës lajmëroi ditën e sotme se është sulmuar nga të shtëna me armë zjarri në liqenin e Ujmanit rreth orës 11:25. Në kohën që u dëgjuan të shtënat, njësia policore ishte duke bërë një ndalesë me varkë në patrullë pranë liqenit të Ujmanit. Sipas Policisë së Kosvës, raportohet se kanë qenë rreth 10 të shtëna me armë zjarri si dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Lajmi kryesor:
Breshëri plumbash ndaj efektivëve të Kosovës! Kurti: Bandat kriminale janë barrikaduar kundër policisë tonë
S.C/ReportTv.al