91 ditë nga gara e fundit që mbylli sezonin e kaluar rikthehet adrenalina e Formula 1. Skuderitë ndezin motorët të shtunën për garën e parë sezonale të 2024, që vjen me një ndryshim të madh. Si asnjëherë tjetër këtë sezon do jenë 24 ndalesa ose çmime të mëdha, ndërsa rikthehen pistat e Kinës pas COVID-it, si dhe ajo e Emilia-Romanjës në Itali pas përmbytjeve në sezonin e kaluar.
Gjithashtu si asnjëherë tjetër të shtunën do jenë në pistë të 20 pilotët, të cilët edhe në garën e fundit të sezonit të kaluar ishin me të njëjtat skuderi. Asnjë lëvizje në merkato s’ka ndodhur këtë dimër edhe pse dihet që në 2025 Carlos Sainz do largohet nga Ferrari, ndërsa vendin e tij do ta zërë 7 herë kampioni i botës Lewis Hamilton, i cili vijon të pilotojë ‘Mercedesin’.
Edhe ky sezon nis në Bahrein, me ndryshimin se provat do jenë të premten dhe Çmimi i Madh të shtunën. Kjo sepse gara e radhës një javë më pas në Arabinë Saudite do jetë gjithashtu të shtunën, për shkakun se të dielën e 10 marsit nis muaji i shenjtë i Ramazanit dhe mes garave sipas FIA-s, duhet të ketë pa diskutim 7 ditë diferencë.
Edhe këtë sezon, për të tretin me radhë, për t’u mundur është piloti i Red Bull Max Vertsappen, i cili në 2023 fitoi me diferencë të frikshme, duke triumfuar në 19 nga 21 gara të mundshme. Fakt është që Red Bull ka shkëlqyer edhe në testet e para sezonale pavarësisht se te Ferrari besojnë se me makinën e re SF-24 diferencat janë zvogëluar shumë.
Këtë të mërkurë ka qenë edhe dita e medias ku Verstappen ka deklaruar se ‘këtë sezon makina është shumë premtuese’, ndërsa Hamilton ka lënë mënjanë Ferrarin duke u shprehur se do japë gjithçka për Mercedesin. Edhe këtë sezon vijojnë kufizimet në shpenzime ku asnjë skuderi nuk lejohet të kalojë shifrën e 135 milionë dollarë gjatë sezonit.