Emocione të forta, por jo fitues prodhoi derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, që u mbyll me shifrat 1-1. Si çdo herë shkëlqyen tifozët me koreografitë, ndërsa Tirana që kaloi e para në avantazh me Hasanin shpërdoroi shumë, derisa Albers Keko për të kuqtë vulosi rezultatin e sfidës. 1 pikë që kënaqi më shumë Partizanin, që vijon të mbetet në vendin e dytë me 7 pikë më shumë se Tirana ndjekëse.
“Është e dyta ndeshja që ne ndëshkohemi nga një episode. Në dy ndeshjet e fundit jemi ndëshkuar nga vetëm një episode. Më kënaq vetëm loja, performanca e lojtarëve sepse rezultati na mërzit të gjithëve,”-u shpreh Julian Ahmataj, trajner i Tiranës.
“Mendoj që duhet ta kishim fituar ndeshjen për nga mënyra sesi rrodhi pjesa e dytë, por e rëndësishme është që mos ta humbisnim këtë ndeshje,”-tha Arbër Abilaliaj, trajner i Partizanit.
Autori i golit për Partizanin, Albers Keko, hyri si zëvendësues në pjesën e dytë.
“Jam shumë i lumtur sepse çdo pikë është e vlefshme. Jam i lumtur që kam firmosur me Partizanin dhe do bëj ç’mos që ta nderoj,”-deklaroi Albers Keko, futbollist i Partizanit.
Kjo përballje nuk i shpëtoi një përplasje të ashpër mes futbollistëve në fushë. Albi Doka i Tiranës dhe Arinaldo Rrapaj i Partizanit kërkuan të përplaseshin fizikisht edhe pas ndeshjes, ndërsa Olsi Rama i qetësoi gjakrat.
“Nuk dua ta komentoj fare sepse nuk është një gjest i hijshëm. Jam lojtar profesionist, ashtu si Rrapaj dhe kështu që nuk dua ta komentoj,”-tha Albi Doka, futbollist i Partizanit.
Në fund të ndeshjes pati një tentativë të gjatë të ultrasve për tu përleshur me njëri-tjetrin në stadiumin ‘Air Albania’, por falë edhe ndërhyrjes së FNSH-së nuk qe e mundur.
Katër tifozë të cilët kanë hedhur flakadanë në fushën e Air Albanias dhe që kanë shkaktuar dhunë në përfundim të ndeshjes derbi Tirana-Partizani janë arrestuar nga policia. Të katër këta persona janë banues në Tiranë të moshës nga 19-35 vjeç.
Gjithashtu janë shoqëruar nga policia tre tifozë të tjerë, ndërsa dy janë ende në kërkim, një prej tyre i mitur. Konkretisht ata akuzohen për disa vepra penale si “Prishja e qetësisë publike”, “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Futini nga nje dajak derisa ti vine mendte
Përgjigju