Unë sot në COD me veshjen e papërshtatshme për të parë një ekspozitë

Kultura
Opinion
Periferi

Alba Malltezi: Të traumatizuar sot se nuk ishim ''veshur përshtatshëm'' të shihnim një ekspozitë në “çmendinën” COD në kryeministri

14 Korrik 2021, 16:36| Përditesimi: 16 Korrik 2021, 08:04

  • Share

Mirë m’u bë. Më vjen ideja të shoh një ekspozitë në mes të vapës, në COD, vendin me emrin e bukur “Qëndra për Hapje dhe Dialog”, në barkun e kryeministrisë, godinës së projektuar me elegancë nga arkitekti italian Gherardo Bosio në të largëtin 1939.

Dëshiroja të shihja punët e arkitektëve të rinj italianë të ekspozuara aty brenda: “Gjenerata e re e Dizajnit Italian” dhe punimet e të talentuarit Adrian Çene në ekspozitën “Killing Time”. Organizohem me vajzën dhe miq, për të parë Art, në Tiranën tonë. Siç e bëjmë shpesh e siç habitemi e na vjen përherë keq se sa pak frekuentohen. Por qytetarët, kanë të drejtë. Artëdashësit kanë të drejtë kur kinse refuzojnë të shkojnë në disa vende ku harbutërinë, arrogancën, mendjamëdhësinë, bullizmin e kupton vetëm kur të bien në kurriz. Si unë sot. Qytetarët dinë dhe nuhasin më mirë atmosferën.

Kjo që do ju tregoj nuk më ka ndodhur në asnjë muze që kam vizituar, në asnjë kishë, në asnjë institucion brenda dhe jashtë Shqipërisë sonë të dashur, por gjërat nuk ndodhin rastësisht, gjërat ndodhin të na hapin sytë, të kuptojmë, e të reagojmë.

Vapën e mesditës të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e lamë pas krahëve dhe lumturia për të parë ekspozitat në COD ishte e madhe. Me mirësjellje një djalë i ulur te metaldetektori, na tha se duhet të futeshim me maska: “megjithatë, po pyes”, na sqaroi. Ndërsa po kërkonim maskat në çantë, njëri prej nesh duhet të dilte e ta merrte në çantën në makinën më larg. Në këtë kohë të shkurtër pritjeje, afrohet te metaldetektori një person shumë i gjatë, me këmishë bojëqielli e flokë të thinjura, theks nga veriu e me një shqipe jo të qartë, me maskën që i skalavitej nën hundë dhe me tonin e vrazhdë na dha ultimatum që “Vetëm me maskë futemi!”. “Patjetër, - u shpreha, - vetëm po presim të vijë një nga ne, që shkoi të merrte maskën”. “Dilni e priteni jashtë!”, u shpreh malësori i bezdisur nga ne, të vetmit të pranishëm në atë moment në COD. Dolëm në vapën e hyrjes së Kryeministrisë, ku për fat, një nga fëmijët që shkoi të merrte maskën erdhi shpejt. Por ndoshta tepër shpejt për përfaqësuesin e bezdisur të gardës: Ndërsa po përgatiteshim për t’u futur me maska në metaldetektor na urdhëroi të linim çantat për t’u kontrolluar. E drejtë! Patjetër që duhej bërë. Por njeriut të Gardës nuk i pëlqeu mënyra se si unë vendosa çantën dhe me një ton të frikshëm, përballë fëmijëve na afrohet duke na u drejtuar: “Pse e ngre zërin!!!” Pasi i thashë se jam vetëm gazetare dhe jo terroriste, pasi i kujtova se po na hakërrehet para fëmijëve, i erdhi në mendje një tjetër ide gjeniale: “Ti nuk mund të futesh me këtë veshje!” Kalova në mendje se ç’kisha veshur: një këmishë me mëngë të gjata (që më jepte akoma më shumë vapë) dhe një fund të zi mbi gju, fëmijët ishin me fustan dhe me pantallona të shkurtëra, si çdo fëmijë në prag adoleshence në verë dhe në vapë. Këtu na erdhi në ndihmë një hostes e sjellshme që kuptoi situatën dhe na tha që të kalonim metaldektorin dhe të vazhdonim vizitën, duke kërkuar ndjesë për situatën e krijuar.

Menduam se ishte një keqkuptim me punonjësin e vrazhdë të gardës, i cili medoemos nuk e ka idenë dhe as është trajnuar se si të sillet, as nuk di të dallojë terroristë që duan t’i vërsulen Kryeministrisë nga një grup me gra dhe fëmijë që dëshirojnë të shohin thjeshtë një ekspozitë dezaini dhe pikture. Më erdhën në mëndje pamjet e protestuesve të opozitës që i lanë të bëjnë e të djegin çdo gjë dhe pamjet tona të trembur që dridheshim nga 2 metër burrë pa edukatë, që për fëmijët duhet të ishte një gjysh i mirë, respektues e pretendues rregullash sigurisht, por që u shndërrua pabesisht dhe egërsisht si një ujk që kërkon të hajë kësulkuqen e gjyshen e saj.

Por nuk ishte e thënë se do të mbaronte këtu. Pasi kaluam kontrollet u shfaq ish-kolegia Milena Selimi, prej kohësh drejtuese e suksesshme nga një institucion në tjetrin, nga një ministri në tjetrën, shërbyese e denjë e asaj pjese të shëmtuar të Shtetit që ngjan me malësorin e frikshëm të Gardës. Edhe Selimi, fillimisht duke na uruar mirëseardhjen, shpejt u tregua e bezdisur nga tronditja jonë, e sidomos nga akuzat e padrejta për veshje të papërshtatshme, ajo na rikujtoi se po futeshim në një institucion të sigurisë së lartë, se Garda po bënte detyrën, se nuk duhet të futemi me tiranda, minifunde etj. etj, duke justifikuar sjelljen e papranueshme të punonjësit të gardës, Dakord me rregullat ekstreme estetike, edhe pse kryesisht në hyrje të kishave dhe xhamive i kemi dëgjuar përpara, (edhe këta tolerantë me pantallona të shkurtëra fëmijësh në verë) por veshjet tona ishin krejt të zakonshme nga tirandat dhe minifundet që na rikujtoi jo vetëm gardisti, por edhe përgjegjësja e ngjashme me ish Sekretaret e Partive nëpër shkolla e ndërmarrje në kohën e Enverit, e caktuar në krye të COD te kryeministria. E ndërpreva në delirin e saj të rregullave duke i thënë vetëm: "Ju jeni jashtë realitetit totalisht!" Afër të pesëdhejtave tashmë, më duhej të merrja leksione etike dhe estetike nga përgjegjësja apo çfarë ishte në COD znj. Selimi, përballë fëmijëve që mbanin maskën më mirë se ajo.

Menduam që më në fund mund të shihnim ekspozitën dhe punimet e bukura ia vlejtën çdo gjë. Hostesi, një vajzë me flokë të gjata, na u afrua me ndjesë dhe keqardhje u tregua e gatshme të na shpjegonte punët. E falenderojmë që veç artit të shfaqur, ishte e vetmja krijesë me mirësjellje në atë holl.

Me të drejtë, pasi dolëm, fëmijët vunë re dy burra që ishin futur pas nesh në COD dhe po shihnin të qetë ekspozitën. Pa maska!

Para pak ditëve, pashë "Fermën e Kafshëve" të George Orwell, vënë me mjeshtëri në Amfiteatrin e Parkut të Liqenit nga trupa e Teatrit Kombëtar. Batutat e aktualizuara na sillnin në mendje shumë thënie të famshme të dëgjuara nga njerëz të politikës sonë dhe sidomos shërbëtorë të tyre. Në ndonjë çast mendova: Po e ekzagjerojnë disi! Por kur përballesh me një egërsi të panevojshme edhe në një ekspozitë Arti, thua: Artistët kanë të drejtë! Pushteti shpesh vishet nga njerëz të papërshtatshëm, agresivë, të këqinj, pa logjikë, të prapambetur, servilë me të fortët dhe të dhunshëm me më të dobëtit, pikërisht për të krijuar ndarjen, hendekun që nevojitet për të larguar qoftë edhe një grup grash dhe fëmijësh që "guxojnë" t'i afrohen kullës pa paralajmërim! Edhe pse në dyert e saj shkruhet: Mirësevini në dy ekspozita arti dhe njoftimi është plot ngjyra e dritë! Kujdes, kjo thirrje nuk është për ty qytetar! Është për të ftuarit e përzgjedhur, të organizuar si turma dhe në dorë kanë: një ftesë! 

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • moza: 18/07/2021 17:08

    Ju ftoj ta bojkotoni te gjithe ju qe dashuroni artin. Ai eshte nji vend i frikshem

    Përgjigju
  • Lala: 15/07/2021 15:05

    Me gjith respektin si gazetare e pwrsosur duhet te dish qe ka nje rregullore veshje neper institutions.por kjo esht per punonjesit e institucionit dhe esht e detteyeshme.per vizitoret normalisht nuk aplikohet.pra mos I bej faj gardistit se aq ka aq Ben.i esht fiksuar kodi I veshjes dhe e ka lexuar deri te pyesja e par.nga injoranca se di qe vizitoret nuk u permbahen atij kodi veshje.seose me kryeministri slejohet as shania e myslimaneve AMA gruja e erdoganit hyri me te.edhe noi sheik qe ka vuajtur ka hyr me veshje me çallm e jo me kostum e kollare.pra mos I bej faj.esht thjesht nji conan qe e ka futur ne pun partia

    Përgjigju
  • lambi: 15/07/2021 14:13

    Malesor ja ke thene me embelsi goce. Ai eshte nje kafshe me kater kembe qe e kane futur ne nje vend strategjik. Mire qe nuk ju ka ngrene.

    Përgjigju
  • Boh: 14/07/2021 22:58

    Është për tu skuqur kur mendon se sa mund na është dashur grave të jemi të lira të vishemi siç duam ne. E gjej këtë lloj sjelljeje të prapambetur dhe largë, shumë largë realitetit europian. As edhe një mos të guxoj t'iu thotë grave sesi të vishen!

    Përgjigju
  • Trnakop Kacija: 14/07/2021 21:35

    Ku kane qene keta “Trima “ malesor M**I ne kohen e Xhaxhit kur ja u dergonte grate e motra ne “akcione puniest” ku ja u punonin Brigadier mas brigadieri. Skane guxuar as ne enderr te ngrisin zerin e le mo ne rruge. burra te lig kane qene, jane dhe do te jene se e kane sojin e lig.

    Përgjigju
  • Tani: 14/07/2021 18:17

    Mirë që s'të kanë pyetur ç'bindje ke

    Përgjigju
  • Lexues: 14/07/2021 17:56

    Nuk ka nevoje per shume analize ngjarja. Edhe roja, edhe drejtoresha e kuptojne qe te punosh ne nje vend qe quhet “Qendra per hapje dhe dialog” eshte nje “bullshit job” (pune prej gjasme). Prandaj e nxjerrin frustrimin qe ndjejne, per padobishmerine e tyre, mbi vizitoret. Ajo e reja nuk e paska kuptuar akoma qe ka “bullshit job” prandaj eshte e sjellshme.

    Përgjigju
  • Qenia e Deformuar apo Deformimi i Qenies: 14/07/2021 17:39

    Mikja ime, ata te quajne te perdale ty?!...aq me finese veshur!. Minifundi yt u duket jashte mode, pasi ne zyrat e shtetit qe rine e vegjetojne me taksat e tua, rine te veshura ndryshe...me breke Ferrarotti i famshem italian...ka shkruar dicka mbi empatine creatrice. Thjesht idea e krijeses se percunguar...demton me shume femijet, edhe te tute...Ata skan faj! Ata pse duhej ti coje aty! E dije...apo e kishe haruar?!

    Përgjigju
  • drini: 14/07/2021 17:25

    Kjo ndodh ne Tirane, ne nje institucion kryesor, mendo pastaj sa le Tiranen se cfare mund te ndeshesh.Eshte turp te sillesh me njerzit sic jane sjellur ata me eju Alba.Bere shume mire qe ekspozon sjellje te tilla te njerzeve vulgar.

    Përgjigju
  • populli: 14/07/2021 16:11

    Ajo zonja qe ke permendur eshte nje thithlope fondesh dhe vende pune. Informohuni dhe do te shikoni kush jane ato fytyra

    Përgjigju
  • Linda: 14/07/2021 15:38

    Mos u merzit Alba. Kshu edht kur nisesh per vizita pa lajmeruar sulltanin. Po lajmeroje perpara moj Alba! Lajmeroje!

    Përgjigju
  • tomor labi: 14/07/2021 15:31

    PANDESHKUSHMERIJa ESHTE ATY LART E MBROJTUR Me POLICA DHE GARDE E MILITANTE sERVILa. Kur te goditet maja ,kushedi se kur, athere te shohim cdo behet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?